“Ballkani Perëndimor drejt BE-së”, Mitsotakis konfirmon mbështetjen për Shqipërinë gjatë takimit me Komisioneren Kos

Rajon | 5 muaj më parë

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis u takua në Athinë me Komisioneren Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ku diskutuan mbi procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Takimi u zhvillua në një moment të rëndësishëm për zgjerimin, pas vendimit të BE-së për krijimin e grupit të punës që do të hartojë Traktatin e Anëtarësimit me Malin e Zi.

Në diskutim u evidentua edhe rëndësia e Shqipërisë në procesin e zgjerimit. Mitsotakis nënvizoi se Greqia ka lidhje të ngushta me Shqipërinë dhe se integrimi i saj në BE është një interes strategjik për rajonin.

Marta Kos e përforcoi këtë pikë, duke theksuar se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në reformat e saj dhe se mbështetja e vendeve anëtare, veçanërisht e Greqisë, është thelbësore për përshpejtimin e procesit.

Mitsotakis theksoi se Greqia ka qenë për shumë vite një mbështetëse e zjarrtë e zgjerimit dhe se vendi i tij ka një interes të fortë për integrimin e rajonit, duke pasur parasysh lidhjet e ngushta me fqinjët.

 “Nuk kemi bërë përparimin që do të dëshironim, por po shohim një vrull të ri. Dy nga vendet kandidate janë fqinjët tanë të afërt dhe ne kemi një interes të fortë në integrimin e Ballkanit Perëndimor në Evropë,” u shpreh ai.

Nga ana e saj, Komisionerja Kos e cilësoi Greqinë si një partner shumë të rëndësishëm në procesin e zgjerimit, veçanërisht duke pasur parasysh presidencën e ardhshme greke të Këshillit të BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2027.

Ne nuk mund të kemi sukses në procesin e zgjerimit pa presidencën. Greqia ka dhënë gjithmonë një impuls të ri, siç dëshmohet nga axhenda e Selanikut në vitin 2003,” tha Kos.

Ajo përmendi gjithashtu vendimin e djeshëm për Malin e Zi si një zhvillim historik, duke theksuar se pas 17 vitesh u krijua për herë të parë një grup pune për hartimin e traktatit të pranimit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme