Balluku: Reforma e sektorit të ujësjellës kanalizimeve po sjell rezultate të prekshme”

Ekonomi | 3 vite më parë

Kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha të shtunën se “reforma e sektorit të ujësjellës kanalizimeve po sjell rezultate të prekshme”.

Zonja Balluku sqaroi edhe situatën në ndërmarrjen e  ujësjellës kanalizimeve në Durrës. Ajo i cilësoi si disinformime lajmet që qarkulluan në disa media se UKD ka falimentuar.

Ministrja tha se “Ndërmarrja e UK të Durrësit, një nga më problematiket edhe për shkak të sistemeve të shumta të pompimit, sot është agreguar me katër ndërmarrje të tjera, duke krijuar kështu një nga 16 ndërmarrjet e reja, të lindura nga reforma e MIE në këtë sektor jetësor”. “Parametrat dhe rezultatet e 12 muajve të fundit flasin për një sukses të qartë të kësaj reforme, arritje të cilat i ndajmë në mënyrë transparente me publikun” tha ministrja Balluku.

Ndërsa, drejtori i ndërmarrjes Spartak Kovaçi sqaroi se “një ndërmarrje me kapital 100% shtet, siç jemi ne, e cila ka një aktivitet kaq të rëndësishëm, siç është furnizimi me ujë i qytetarëve dhe grumbullimi dhe pastrimi i ujërave të zeza, nuk mund të falimentojë kurrsesi, nuk ta lejon ligji, por nuk ta lejon edhe shteti”.

“Ndërmarrja e re ka marrë të gjithë aktivitetin e ndërmarrjeve të vjetra, ka një strukturë të re, një organigramë të re. Është bërë gjithçka që veprimtaria të jetë sa më normale dhe me formimin e shoqërisë së re, janë mbartur të gjitha detyrimet e shoqërive të vjetra. Ne nga janari deri sot kemi paguar rreth 330 milionë lekë të reja, që janë paga, sigurime shoqërore dhe detyrime të tjera të mbartuara nga shoqëritë e vjetra”, u shpreh ai.

“Ne si ujësjellës i Durrësit kemi një ulje të kostove në krahasim me 2022-in me rreth 50%, që është një gjë shumë e mirë. Kemi filluar të paguajmë një pjesë të detyrimeve ndaj OSHEE-së, si dhe një pjesë të faturës korente dhe pretendojmë që brenda vitit tjetër të jemi të gatshëm të paguajmë në kohë reale faturën e energjisë elektrike. Një gjë që për ujësjellësin e Durrësit ka qenë utopike gjithë kohës, nuk ka qenë asnjëherë e menduar se mund të arrijmë në këtë ditë” drejtori i ndërmarrjes Spartak Kovaçi.

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme