Banda e Laert Haxhiut/ Të dielën caktohen masat e sigurisë, i penduari merret sërish në pyetje

Grupi i të arrestuarve si pjesë e bandës së Laert Haxhiut pritet të njihen të dielën me masat e sigurisë që Gjykata ka aktuar për ta.
Prokuroria e Elbasanit ka dorëzuar dosjen voluminoze dhe do të kërkojë masën e sigurisë me burg për 13 anëtarë të grupit, seancë e cila pritet të zhvillohet në orën 10 në Gjykatën e këtij qyteti.
6 anëtarë të grupit ndodhen në burg, të arrestuar më herët për ngjarje të tjera, mes tyre edhe koka e grupit Laert Haxhiu i prangosur nga autoritetet greke në shtetin fqinj, 5 të tjerë u arrestuan në qytetet e Tepelenës, Peqinit dhe Pogradecit dhe 4 janë shpallur në kërkim .
Burime pranë Prokurorisë së Elbasanit bëjnë me dije se njeriu që u shndërrua në të penduar të drejtësisë dhe që zbuloi 5 vrasje dhe disa ngjarje kriminale u rimor në pyetje këtë të shtunë.
Artan Tafani mendohet të jetë pyetur edhe për ngjarje të tjera që mund të ketë kryer grupi i Laert Haxhisë.
I penduari u arrestua për grabitjen e një shume të konsiderueshme në pikë volute në zonën e Astirit, dhe më pas ka pranuar të bashkëpunojë dhe të tregojë për aktivitetin kriminal të bandës, roline secilit prej pjestarëve në 5 vrasje dhe në të paktën 5 ngjarje të tjera si vendosje eksplozivi.
Mes të tjerash në rrëfimin e Artan Tafanit thuhet se brenda 24 orëve grupi i Laert Haxhiut ka kryer dy vrasje.
Gazetar: Kreshnik Mersinllari
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



