Banka Botërore 29.5 mln dollarë financim shtesë për sektorin shëndetësor në Shqipëri

Sektori i Shëndetësisë do të përfitojë një financim prej 29.5 mln dollarësh nga Banka Botërore për projektin e Përmirësimit të këtij sektori në Shqipëri.
Ky financim do të ndihmojë në adresimin e dëmeve të shkaktuara në objekte të kujdesit shëndetësor nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019 si dhe do të përmirësojë procesin e modernizimit dhe reformat në disa shërbime spitalore publike.
Dëmet e shkaktuara nga tërmeti në disa spitale e kanë bërë të domosdoshme ndërhyrjen urgjente për përmirësimin e infrastrukturës dhe furnizimin e tyre me pajisje të reja mjekësore.
Financimi Shtesë do të ndihmojë në përballimin e këtyre nevojave, dhe më konkretisht për rehabilitimin e Spitalit të Krujës, Spitalit Rajonal të Lezhës dhe disa spitaleve e njësive në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza si Departamenti i angiologjisë dhe kardiokirurgjisë, Spitalit Psikiatrik, Departamenti i djegies dhe kirurgjisë plastike, dhe Spitali i përgjithshëm pedriatik. Gjithashtu, do të furnizohen me pajisje të reja mjekësore Spitali i Pediatrisë dhe Spitali i Laçit.
“Rehabilitimi i infrastrukturës kryesore dhe furnizimi me pajisje të reja mjekësore për spitalet rajonale dhe ato bashkiake do të shërbejë për aftesimin e tyre për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe eficente të kujdesit shëndetësor për qytetarët shqiptarë”, tha Emanuel Salinas, Menaxher i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë.
Gjithashtu, Financimi Shtesë po mbështet zbatimin e Sistemit të Informacionit Shëndetësor në të gjithë rrjetin e spitaleve rajonale, i cili do të bëjë të mundur një koordinim dhe integrim më të mirë të shërbimeve me qëllim përmirësimin e vazhdimësisë dhe cilësisë së kujdesit shëndetësor.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




