Banorët e lagjes Palorto, kërkojnë mbylljen e kanaleve

Banorët e lagjes Palorto e Sipërme në qytetin e Gjirokastrës, prej gati 7 muajsh po përballen me probleme për shkak të rihapjes së kanaleve të punimeve që u kryen për rrjetin e ujësjellësit. Pasojë e vërshimit të ujërave nga shirat e fundit në qytet, ishte edhe rrëshkitja e zhavorit që mbulonte këta kanale. Tashmë që kanalet kanë ngelur përsëri hapur, vazhdojnë të vështirësojnë edhe të rrezikojnë banorët nga aksidente të mundshëm. Ata thonë se e gjithë kjo, për 110 metra rrugë ndaj kërkojnë të merren masat e duhura.
“Shtëpia ime është në anë të rrugës, na vështirëson shumë kjo situatë, makina nuk kalon aty, i marrim fëmijët në krahë sepse janë të vegjël dhe kanalet nuk i kalojnë dot vetë. Natën, nëpër errësirë, nuk kalohet fare. Si qenka e mundur të mbushet kaq kanal i thellë vetëm me zhavor?! Shirat ndikuan që ta rihapnin edhe më tej”, shprehet një banore.
“Këtu tani ujësjellësi hapi këta kanalet për të kaluar tubot por vajtën 7 muaj në këtë gjendje. Vetë i kemi mbushur me zhavorr një, dy e tre herë por shiko se si janë bërë! Është shumë problem. N’a vështirëson shumë. Makinat nuk vijnë as ambulanca nuk vjen nëse kemi një hall dhe këtu jemi më shumë se 100 familje“, shprehet një i moshuar.
Në unazën e sipërme të lagjes Palorto jetojnë më shumë se 100 familje që kërkojnë mbylljen e menjëhershme dhe ashtu siç duhet, të kanaleve .
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




