Basha: Ne do ta fitojmë këtë betejë! Në çdo fushë, në çdo formë, në çdo mënyrë!

Kryetari i PD sërish në opozitë Lulzim Basha, paralajmëroi se partia e tij do të vazhdojë të dokumentojë deri në fund atë që ajo e quan masakër elektorale të 25 prillit. “Një gjë është e sigurt. Fundi i kësaj beteje është një dhe vetëm një, përmbysja e këtij regjimi dhe vazhdimi i betejës tonë për ta çuar Shqipërinë dhe shqiptarët drejt së ardhmes që meritojnë” tha zoti Basha gjatë një takimi në Durrës.
“Për ata që thonë, që na bëjnë me faj, që na llogarisin si gabim, që nuk bëmë dhe ne aleancë me bandat, po ju them fare qartë: Për Partinë Demokratike, opsioni i bashkëpunimit me krimin është dhe do të jetë zero. Sepse pushteti i marrë me krimin pjell vetëm krim” theksoi kreu i opozitës.
Zoti Basha bëri të ditur se “Prej më shumë se një viti i kemi vënë në dispozicion institucioneve ndërkombëtare, institucioneve të drejtësisë së re, fakte konkrete mbi të gjithë dhunimet dhe krimet zgjedhore të Partisë Socialistë, të Edi Ramës, të kupolës drejtuese dhe faktorëve të krimit të organizuar. Mbi 180 kallëzime të tilla janë depozituar në SPAK dhe prokuroritë anë e mbanë vendit”.
Sipas tij “Kjo është një sfidë për drejtësinë e re, kjo është një sfidë për institucionet zgjedhore ku dje janë depozituar kërkesat për pavlefshmërinë në 9 qarqe dhe rivotimin në 9 qarqe”.
“Shqipëria nuk është e regjimit Rama-Doshi, kjo është Shqipëria jonë, kjo është Shqipëria juaj e qindra mijëra shqiptarëve që na ndoqën dhe na besuan me votën e tyre” tha kreu i opozitës. “Mbi 680 mijë vota duke përfshirë edhe ato që pavleftësoi marifeti i fletës së votimit, janë votat e shqiptarëve të pastër të shqiptarëve që as nuk u shantazhuan as nuk u blenë, as nuk u frikësuan, as nuk u intimiduan, por ecën përpara për veten e tyre, për familjet e tyre, për të ardhmen e tyre por duke besuar tek forca, fuqia e Partisë Demokratike dhe koalicionit tonë” shtoi më tej ai.
“Ne nuk e kërkuam pushtetin për veten tonë. Ne e dorëzuam pushtetin për t’u bërë njësh me qytetarët, bashkë me qytetarët, për të hapur një rrugë të re dhe një të ardhme më të mirë, dhe një të ardhme qytetare, normale, europiane për gjithë shqiptarët” tha zooti Basha.
Kreu i opozitës shprehu bindjen se “Ne do ta fitojmë këtë betejë duke bërë pikërisht të kundërtën, duke bërë gjithçka që ata të përfundojnë aty ku e kanë vendin dhe duke bashkuar të gjithë shqiptarët deri në përfundimin e pashmangshëm të kësaj beteje që është ndryshimi që presin dhe dëshirojnë të gjithë”. “Beteja jonë do të vazhdojë derisa kjo e ardhme më e mirë për shqiptarët, të bëhet realitet! Në çdo fushë, në çdo formë, në çdo mënyrë!” premtoi zoti Basha.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




