Basha takim me përkrahës në Durrës: Do të kërkojmë me zë të lartë vetting-un e politikanëve!

Politikë | 3 vite më parë

Ish kreu i PD në opozitë Lulzim Basha, i cili ka kandiduar për t’u rizgjedhur në krye të asaj që njihet si PD zyrtare, ka deklaruar se do të kërkojë me zë të lartë vetting-un e politikanëve shqiptarë.

Zoti Basha i bëri deklaratat e tij gjatë një takimi me përkrahësit e tij në Durrës. “Prandaj kushdo që është i pastër dhe s’ka frikë duhet sot të kërkojë me zë të lartë vetting-un e politikanëve, hetimin e pasurive të tyre, si i kanë vendosur këto pasuri dhe lidhjet me krimin” tha ai.

Zoti Basha tha se Shqipëria renditet ndër 10 vendet më të korruptuara në botë, sipas perceptimit të qytetarëve të saj. Ish kreu i PD ju referua rastit Ahmetaj që sipas tij është “dëshmi se Edi Rama e ka ndërtuar gjithë pushtetin e tij mbi krim dhe korrupsion”. “SPAK nuk duhet të ndalet, por duhet t’i shkojë deri në fund hetimit për dosjet e korrupsionit që prej vitesh janë në zyrat e tij” shtoi ai.

Ish kreu i PD tha se “Aleanca Qytetare për Demokracinë do të jetë koalicioni ynë për të çliruar ekonominë dhe për të çuar përpara ndryshimet kushtetuese që do të zhbëjnë ato të 2008-ës”.  Zoti Basha këmbënguli se do të punonte për Listat e hapura; Vetting-un e politikanëve; Votën e diasporës; Kufizimin e mandateve dhe Zgjedhjen e Presidentit nga populli.

“Ne do të përkushtojmë çdo energji në hapjen, fuqizimin dhe modernizimin e strukturave të Partisë Demokratike – për një parti që shëmbëllen shoqërinë dhe nevojat e saj, me profesionistë të ndershëm që duan vendin e tyre, me të rinj e të reja, që janë garanci e inovacionit të vazhdueshëm dhe mendimit ndryshe. Ndryshimi që kemi nisur dhe do të vazhdojë brenda forcës sonë politike, me vendime të vështira dhe të guximshme, është provë e gatishmërisë sonë për t’u dhënë shqiptarëve alternativën që presin dhe meritojnë!” tha zoti Basha gjatë takimit me përkrahësit e tij në Durrës.

 

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme