Shkolla dhe aeroporte në shënjestër, ministri francez: Pas kërcënimeve mund të jetë Rusia

Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nunez, ka deklaruar se kërcënimet e rreme për bomba që kanë prekur ditët e fundit disa vende evropiane janë të koordinuara dhe mund të kenë lidhje me ndërhyrje të huaja. Në një intervistë për televizionin LCI, Nunez tha se dyshimet përfshijnë edhe mundësinë e përfshirjes së Rusisë apo shteteve të tjera që synojnë destabilizimin e vendeve evropiane.
“Për paralajmërimet për bomba në aviacionin civil, ne gjithashtu konsiderojmë se ekziston një mundësi e ndërhyrjes së huaj, shumë qartë“, u shpreh ministri francez.
Ai shtoi se pas këtyre incidenteve mund të qëndrojnë “Rusia dhe vende të tjera që ndoshta duan të na destabilizojnë dhe po organizojnë fushata”.
Shqetësimet janë shtuar pas një serie kërcënimesh që kanë përfshirë shkolla dhe aeroporte në disa vende të Evropës. Të mërkurën (11 nëntor), paralajmërime për bomba u morën nga shkolla në Itali, Irlandë dhe Britani, ndërsa një ditë më vonë incidente të ngjashme u raportuan në tri shkolla në Francë. Edhe aviacioni civil është përballur me një valë kërcënimesh në fillim të nëntorit. Dhjetëra fluturime u vunë në shënjestër të njoftimeve për bomba, duke shkaktuar ndryshime itinerari, evakuime pasagjerësh dhe kontrolle të imtësishme të avionëve. Në disa raste, avionët u shoqëruan edhe nga mjete luftarake. Megjithatë, në asnjë prej rasteve nuk u gjetën eksplozivë.
Ministri francez theksoi se vala e fundit e kërcënimeve ka prekur shumë shtete evropiane, çka sipas tij përbën një arsye të fortë për dyshime mbi koordinimin e tyre. “Fushata më e fundit e paralajmërimeve për vendosjen e një bombe në aviacionin civil ka prekur shumë vende evropiane, prandaj kemi dyshime të bazuara”, deklaroi Nunez.
Ai bëri të ditur se hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me institucionet evropiane, përfshirë Europolin, ndërsa shërbimet e inteligjencës po shkëmbejnë informacione për të identifikuar autorët dhe burimin e kërcënimeve. Këto zhvillime kanë shtuar shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm të luftës hibride në Evropë, përmes operacioneve që synojnë të krijojnë pasiguri dhe të destabilizojnë institucionet publike. Duke iu përgjigjur shqetësimeve të qytetarëve për sigurinë, Nunez tha se kërcënimet e tilla shfaqen në periudha të caktuara dhe shpesh vijnë në valë.
“Kërcënimet me bomba” vijnë “në valë”, tha ai, duke shtuar se ka periudha kur autoritetet marrin një numër të madh paralajmërimesh, shumica e të cilave rezultojnë të rreme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




