Basha takon emigrantët në Londër: Dorëzuam propozimin për votën e diasporës

Politikë | 3 vite më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua me shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Britaninë e Madhe.

Ai u ndal në propozimet e PD-së për votën e emigrantëve dhe listat e hapura.

Kryedemokrati bëri të ditur se të premten është depozituar propozimi për votën e diasporës, i cili mundëson që emigrantët jo vetëm të votojnë, por të ketë të njëjtën peshë të votës si shqiptarët.

“Arsyeja pse ne shohim një ngecje të procesit, që do të çonte në materializimin e votës për shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë, është së prej kohësh kjo qeveri ka vënë në punë mekanizma manipulimi të vullnetit popullor, mekanizma të cilat nuk pinë ujë kur bëhet fjalë për të influencuar votën e shqiptarëve jashtë Shqipërisë. Ju e keni parasysh se për çfarë e kam fjalën. E kam fjalën që nga 50-mijëlekëshi ku blihet vota në Shqipëri, e deri tek elementet e tjera të patronazhimit me kërcënimin e bukës së gojës, apo me vendin e punës, mekanizma pra që janë përdorur dhe përdoren gjerësisht, siç citojnë edhe raportet e institucioneve ndërkombëtare që vëzhgojnë zgjedhjet shqiptare…

Dhe për këtë arsye duan ta ngushtojnë, duan të kenë dy apo tre apo katër deputetë që përfaqësojnë diasporën. Kjo është e padrejtë. Ne duam që vota e shqiptarëve të jetë e barabartë, s’ka rëndësi nëse hidhet në Vlorë, apo në Kukës, apo në Tiranë, apo në Durrës, apo në Londër, apo në Mançester, apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo në Itali, apo në Greqi, vota duhet të jetë e barabartë. Barazia e votës është një nga parimet themelore mbi të cilën ngrihet demokracia përfaqësuese bashkëkohore. Ndaj dhe një nga propozimet kryesore që janë çuar në parlament ditën e premte, ka të bëjë me barazinë e votës,” deklaroi z. Basha.

Kreu i demokratëve u tha shqiptarëve që jetojnë në Londër se nga nga 12 qarqe elektorale që parashikon kodi zgjedhor aktualisht, PD-ja kërkon që Shqipëria të funksionojë si një zonë e vetme elektorale.

Basha foli edhe për listat e hapura, me të cilat qytetarët do të mund të zgjedhin direkt deputetin e tyre.

Gazetare: Teuta Shamku

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme