Basha takon Varhelyi: PD, e vendosur për ta vazhduar betejën për ndryshim dhe demokraci

Kryetari i PD në opozitë Lulzim Basha i i ka paraqitur komisionerit të BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi të gjitha kundërshtimet e tij rreth procesit zgjedhor të 25 prillit. Sipas njoftimeve nga PD zoti Basha e njohu komisionierin me manipulimet masive që i janë bërë procesit zgjedhor, përmes shitblerjes së votës, përdorimit të personave me precedentë kriminal, përdorimit të paligjshëm të administratës, vjedhjes dhe përdorimit kriminal të të dhënave personale të shtetasve nga PS, përdorimit të paligjshëm, masiv dhe sistematik të parave të buxhetit të shtetit për tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve si dhe përdorimin e legalizimeve për vota.
Për kreun e opozitës fushata e tjetërsimit të vullnetit të zgjedhësve u drejtua nga kupola drejtuese qeveritare në bashkëpunim nga persona që janë nën hetim për bashkëpunim me krimin e organizuar, dhe personave në listën e zezë të SHBA, fëmijë dhe të afërm të personave që u nxorrën jashtë nga ligji i dekriminalizimit janë tashmë pjesë e listës së deputetëve të PS.
Zoti Bash i ka bërë të ditur zotit Varhelyi se pPD dhe kandidatët saj kanë depozituar në SPAK dhe në prokuroritë e rretheve rreth 180 kallëzime për të cilat nuk ka patur asnjë veprim ndalues apo parandalues edhe pse ato janë depozituar muaj para datës së zgjedhjeve. “Policia e Shtetit në shumë raste është përfshirë në mbrojtjen kontigjenteve të blerjes së votës si dhe ka fshehur, tjetërsuar dhe manipuluar fakte flagrante ku persona me precedent janë përfshirë në operacionin kriminal të blerjes së votave dhe shantazhimit të votuesve,” citohet të ketë thënë zoti Basha.
Kreu i PD shprehu vendosmërinë e tij dhe të Partisë Demokratike për të vazhduar betejën për ndryshim dhe për të kthyer demokracinë në Shqipëri.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




