Basha vizitë në Londër, takon lordin, David Richards

Politikë | 3 vite më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një vizite në Londër, ka zhvilluar një takim lordin, David Richards. Basha, nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social Facebook, bëri të ditur se në këtë takim ka diskutuar për një gamë të gjerë çështjesh duke u fokusuar tek SPAK dhe vetingu në politikë.

Sipas tij, gjatë takimit është diskutuar edhe për sfidat me të cilat po përballet Shqipëria, Ballkani Perëndimor dhe komuniteti Euro-Atlantik sot.

 “U ndalëm tek përpjekjet e SPAK-ut, në luftën kundër korrupsionit dhe domosdoshmërinë për të çuar përpara drejtësisë këdo që ka abuzuar me paratë e shqiptarëve. E informova mbi propozimin tonë të depozituar tashmë në parlament për vetting-un e politikanëve, një nismë që synon të largojë nga politika politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin.”, shkruan Basha. 

Temë diskutimi ka qenë edhe situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, dhe sfidat aktuale pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, përpjekjet e vazhdueshme për ndarjen dhe destabilizimin e Bosnje Hercegovinës nga Dodiç dhe koalicioni i ri qeverisës në Malin e Zi, ku në përbërje të saj janë persona të njohur për qëndrimet e tyre destruktive dhe lidhjet me Moskën.

 “Theksova domosdoshmërinë, që Kosova të nisë sa më parë procesin e anëtarsimit në NATO dhe në funksion të paqes së qëndrueshme në rajon, hapjen e këtij procesi përmes heqjes së pengesave nga 4 vendet anëtare që akoma nuk e kanë formalizuar njohjen e saj. U ndalëm edhe te agresioni rus në Ukrainë dhe pasojat që ka shkaktuar ai. Lordi Richards mirëpriti avancimin e rezolutës mbi Mbështjen e Rindërtimin të Ukrainës, në Këshillin e Evropës. E falenderova Lordin Richards për kontributin që Britania e Madhe ka dhënë për Shqipërinë në momente të rëndësishme për vendin. Partia Demokratike duke e konsideruar Britaninë e Madhe një aleat strategjik, është e angazhuar që me miqtë e saj në këtë vend, të kontribuojë për avancimin e të drejtave të shqiptare kudo ku ata jetojnë.”, shkruan Basha.

 Kreu i PD- së shoqërohej në këtë takim nga  Sekretari për Sigurinë Kombëtare dhe koordinimin Euro-Atlantik në PD, Xhemal Gjunkshi.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme