Bashkëpunim kundër kontrabandës, Shqipëri dhe Greqia forcojnë bashkëpunimin elektronik doganor

Shqipëria dhe Greqia po intensifikojnë bashkëpunimin doganor përmes menaxhimit të përbashkët të kufirit, digjitalizimit dhe shkëmbimit elektronik të të dhënave.
Në Tiranë u zhvillua Takimi i 14-të Bilateral i Nivelit të Lartë mes administratave doganore të dy vendeve, ku Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, priti homologun grek, Dimitrios Bourikos.
Në fokus të diskutimeve ishin lehtësimi i tregtisë dhe lëvizjes, funksionalizimi i Green Lanes dhe SEED+, digjitalizimi i procedurave, si dhe forcimi i bashkëpunimit kundër kontrabandës dhe trafiqeve të paligjshme.
Një nga zhvillimet konkrete të prezantuara ishte avancimi i shkëmbimit elektronik të të dhënave në pikën kufitare të Kakavijës.
Në një reagim të bërë publik në rrjetet sociale, Drejtoria e Doganave theksoi se ky është një hap konkret drejt modernizimit të procedurave dhe rritjes së efikasitetit në menaxhimin e kufirit, duke e cilësuar takimin si një moment të rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve doganore mes Shqipërisë dhe Greqisë
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, faza e zbatimit nga pala shqiptare ka përfunduar dhe të dhënat tashmë transmetohen drejt administratës greke. Synimi është që ky proces të shtrihet gradualisht edhe në pikat e tjera kufitare, duke përmirësuar analizën e riskut, përshpejtuar procedurat dhe rritur efikasitetin e kontrolleve.
Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për monitorimin e flukseve dhe orareve në pikat e përbashkëta kufitare, forcimin e bashkëpunimit mes strukturave doganore të dy vendeve dhe zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit Sarandë–Korfuz.
Në kuadër të procesit të integrimit europian, administratat doganore shkëmbyen eksperienca mbi sistemet digjitale të Bashkimit Europian, ndërveprueshmërinë dhe menaxhimin e riskut, duke rënë dakord për vijimin e bashkëpunimit teknik, trajnimeve dhe shkëmbimit të ekspertizës.
Takimi u përmbyll me dakordësimin për hapa të mëtejshëm drejt funksionalizimit të plotë të Green Lanes, zgjerimit të shkëmbimit elektronik të të dhënave dhe forcimit të bashkëpunimit operacional mes Doganës Shqiptare dhe asaj Greke.
.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




