Begaj merr pjesë në inaugurimin e bustit të Nënë Terezës në Ambasadën e Kosovës në Shkup

Presidenti Bajram Begaj, mori pjesë në inaugurimin e bustit të Nënë Terezës në oborrin e Ambasadës së Kosovës në Shkup.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Presidenti Begaj përgëzoi Ambasadën e Kosovës për iniciativën.
“Kurrë mos u shqetëso për numrat – na mësonte Nënë Tereza, por – ndihmo dikë, duke filluar me ata që ke pranë”. E ku më mirë se mes nesh, e këtu në rajonin tonë, ka vlerë ky mesazh solidariteti dhe bashkëpunimi, sa njerëzor aq edhe institucional”, – u shpreh në fjalën e tij Presidenti Begaj.
Sipas Presidentit Begaj, “devotshmëria e Nënë Terezës në ndihmë të njerëzve në nevojë, dhembshuria dhe përpjekjet e saj për t’u dhënë shpresë atyre në mjerim, na motivon çdo ditë në jetën dhe punën tonë, për të qenë pranë njerëzve e për të jetuar me shqetësimet e tyre. Jemi krenarë që jemi pjesë e trashëgimisë së saj etnike e kulturore, por kjo nuk mjafton! Duhet që me përulësi e mirënjohje ta ruajmë atë trashëgimi vlerash të larta morale që ajo na la e të jemi gjithmonë pranë njerëzve, veçanërisht pranë atyre që kanë më shumë nevojë.” U shpreh presidenti.
Presidenti Bajram Begaj, u shoqërua nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani si edhe ai Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Numri një i shtetit shqiptar mori pjesë në Samitin e përvitshëm të Bërdo Brijunit në Shkup.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




