‘Beleri’, Mitsotakis: Do ketë implikime në përpjekjet e Shqipërisë drejt BE-së

Politikë | 3 vite më parë

Kryeministri grek, Kiriakos Mitsotakis, në një konferencë shtypi në Panairin e 87-të Ndërkombëtar të Selanikut (TIF) të dielën, komentoi sërish edhe rastin e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, i cili ndodhet në burg me akuzën për shitblerje votash.

Duke folur për gazetarët Mitsotakis tha në komentet e tij se “marëdhëniet dypalëshe me Shqipërinë janë lënë në hije nga rasti i burgosjes së Fredi Belerit”.

Sipas tij, qëndrimi i Shqipërisë “përmbys progresin e rëndësishëm të katër viteve të mëparshme në marëdhëniet mes të dy vendeve”.

Mitsotakis, ashtu si edhe shumë zyrtarë të tjerë grek, këmbëngul që kryebashkiaku i Himarës duhet të lejohet të bëjë betimin, qoftë edhe nga burgu.

“Unë nuk ndërhyj në drejtësinë shqiptare, por kjo është shkelje e shtetit të së drejtës dhe krijon probleme të mëdha në marrëdhëniet dypalëshe që do të kenë implikime më të gjera në përpjekjen e Shqipërisë për t’iu afruar BE-së,”- deklaroi ai, raporton Ekathimerini.

Tre ditë më parë Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit vendosi të kalojë për gjykim çështjen ‘Beleri’ i arrestuar dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit me akuzën e “Korrupsionit aktiv në zgjedhje”.

Kryeministri Edi Rama në disa deklarime rreth kësaj çështje ka bërë të qartë se rasti ‘Beleri’ i përket organeve të drejtësisë shqiptare dhe se ai nuk pranon  asnjë ndërhyrje ngado që të vijë ndaj drejtësisë shqiptare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme