Belind Këlliçi takime me banorët e Sharrës, paraqet programin me 5 pika

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi ka zhvilluar takime me banorët e zonës së Sharrës. Ai paraqiti programin e tij, 5 pikat kryesore që sjellin ndryshimin në Tiranë, dhe kërkoi mbështetjen e qytetarëve.
Sipas Këlliçit, në zonën e Sharrës kanë munguar investimet që do të përmirësonin jetesën e komunitetit dhe u shpreh se banorët e Sharrës dhe gjithë Kombinatit, vuajnë ende ndotjen e ajrit për shkak të mbetjeve urbane që hidhen në landfill.
“Arsyeja pse po ua përmend këtë, është se u gjet ky justifikim, që në vitin 2016 kur kjo ndodhi, të fillohej të flitej për herë të parë për koncesionin e inceneratorit të Tiranës. Këtu ka një problem shumë të madh. Ju nuk e keni idenë në aspektin financiar se çfarë vjedhje ndodh vetëm pak metra larg nga ju. 80 mijë euro në ditë vjedhin nga taksat e tua, të mijat, të gjithëve neve këtu. E di çfarë domethënë 80 mijë euro në ditë? Sikur një javë të hidhen ato lekë këtu në zonë, zgjidhet problemi me rrugicat hyrëse”, u shpreh Këlliçi.
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, premtoi se do të mundësoje transportin publik falas për 200 mijë qytetarë të Tiranës. Pas 14 majit, ky angazhim do të bëhet realitet pasi siç u shpreh Këlliçi, “u shërben shtresave në nevojë dhe jo klientelës së Erion Veliajt”.
“Unë kam premtuar transport publik falas, autobusin falas për 200 mijë qytetarë në ditë. Një shërbim që kushton sa para që shkojnë për inceneratorin që nuk ekziston. Ajo bileta 400 lekëshe nuk është dhimbje koke për të pasurit, por është për të varfrit. Ajo masë që unë kam propozuar nuk i shërben oligarkëve, klientelës së Erion Veliajt. Është një shërbim i dedikuar për pensionistët, për studentët, për familjet në nevojë, për shtresat në nevojë”, tha ai.
Për të bërë realitet planin e tij për kryeqyteti, Belind Këlliçi kërkoi mbështetjen e banorëve të Sharrës në zgjedhjet e 14 majit.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




