Berisha deklaron se do të hedh në gjyq sekretarin e Shtetit të SHBA, Blinken

Ashtu siç kishte paralajmëruar, ish-kryeministri Sali Berisha, ka mbërritur për të mbajtur konferencën për mediat, pasi u shpall ‘non grata’ nga SHBA, së bashku me familjen e tij. Zoti Berisha, në fjalën e tij, deklaroi se do të hedh në gjyq Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konkretisht Sekretarin e Shtetit, Blinken.
“Jam këtu për t’ju infiormuar për një vendim të pazakontë, por të rëndësishëm. Dje, Sekretari i Shtetit, në mënyrën më shpifëse, bëri vlerësime të gënjeshtërta për personalitetin tim. Dua të theksoj se që kur kam filluar jetën politike, që kur kam prekur rrogën e parë në borderotë e shtetit, dhe gjeri ditën e djeshme, nuk ka njeri në Shqipëri apo në botë, që mund të thotë që unë kam qenë i implikuar në një afere të zakonshme korruptive. Prandaj dhe kam udhëzuar avokatin tim, në një vend neutral dhe të respektuar siç është Franca, që të ngrejë ndaj Blinke, një padi për shpifje publike. Blinke mund të pretendojë se, sipas rregullave si ministër Shteti, ai përfiton imunitet. Kjo është gënjeshtër. Imuniteti përcaktohet nga gjykatat. Pra, ai është i mbrojtur nga imuniteti kur kryen funksione në qeverinë e tij, por kur bëhet autor i një montazhi politik për të më dëmtuar mua, kjo nuk hyn në funksionet e një ministri. Asnjë qeveri nuk ka në funksion shpifjen e përbaltjen. Pra, sipas avokatit tim, Blinken nuk është i mbrojtur ndaj dhe do ta padit nga avokati im në Francë. Një vendim ky i paparashikueshëm ndonjëherë në jetën time. Një admirues i pakufishëm i vendit të madh të lirisë, aleatit kryesor të popullit shqiptar, por çështja dinjitetit është çështja më thelbësore e njeriut. Nëse i prek tjetrit nderin, e zhvlerëson atë, për miqtë, familjen dhe komunitetin,” tha Berisha.
Ai iu shmang komenteve në lidhje qëndrimin e zotit Palmer, që i mbështeti qëndrimet e DASH dhe se nëse do ta padiste edhe atë në gjyq.
“Do ta shqyrtoj qëndrimin e tij. Në një aspekt, zoti Palmer, mendoj unë, nuk e kam ndjekur, në fund të fundit, ai është një zyrtar i lartë i DASH që ka mbrojtur deklaratën e DASH, s’ka bërë ndonjë gjë tjetër. Do ta studioj atë deklaratën e tij”, tha Berisha.
Ish-kryeministri Berisha, në konferencën për shtyp, e ka cilësuar si normale mos reagimin e presidentit Ilir Meta, në lidhje me vendimin e DASH për të shpallur person non-grata.
“S’ka asnjë lloj shkaku se pse të prononcohet. Unë prononcohem vetë si person”, tha Berisha.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



