Berisha drejt SHBA-së për herë të dytë, nga SPAK-u komenton vizitën e Ramës në SHBA
I sapokthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vizitën e parë pas heqjes së sanksionimit, Sali Berisha po planifikon të udhëtojë sërish drejt SHBA-së. Tashmë nuk është më sekret se në adresë të kryetarit të Partisë Demokratike ka mbërritur ftesa për t’u bërë pjesë në punimet e forumit të IDU-së në fillim të muajit dhjetor në Washington.
“A do shkojë në dhjetor në Washington? Po, sikur të shkoj përpara, para dhjetorit. Për forumin do ta marrë vendimin më vonë. Në parim, po, por nuk është vendimi përfundimtar”, tha Berisha.
Një koment nuk do të mungonte as për kryeministrin Edi Rama, i cili ndodhet në SHBA, ku, krahas punimeve të OKB-së, në agjendë ka takimet me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë atje.
“Shqiptarë kundër protestës në Detroit, me gjithë fushatën e kërcënimeve. Dhe i falënderoj shumë diasporën guximtare që i tha se ti je personi më i urryer deri tani, i vetmi që ka shkelur në Shtetet e Bashkuara dhe i është organizuar protestë nga qytetarët me origjinë shqiptare”, tha Berisha.
Këto qëndrime kryedemokrati Sali Berisha i bëri në SPAK, në deklaratën e tij pas përmbushjes së detyrimit të paraqitjes.
Edhe në këtë komunikim me mediat akuzoi SPAK-un si hetues privat të kryeministrit, që mbron, siç tha, krimet monstruoze të shefit të qeverisë dhe bashkëpunëtorëve të tij.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




