Berisha kërkon hetim për vajzën e kryeministrit Rama: Kalon nga tenderi në tender

Politikë | 3 vite më parë

Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi të enjten (9 nëntor) se shumica politike po e çon vendin në kolaps dhe po asgjëson zërat kundër.

Ai foli për gazetarët pasi minuta më herët mazhoranca votoi projektligjet pa siguruar miratimin e opozitës, e cila zgjodhi të protestojë duke ngritur barrikada me karrige dhe duke ndezur flakadanë në sallën e deputetëve.

“Kur shkelet Kushtetuta, nuk ka parlament. Që një parlament të funksionojë, duhet të zbatohen rregullat kushtetuese. Ashtu mund të funksionojë kryesia e Partisë Socialiste, ashtu mund të funksionojë mafia e shpellave, e bodrumeve, por parlamenti funksionon mbi bazën e pluralitetit, mbi bazën e respektit të të drejtave themelore kushtetuese.

Kushtetuta ka sanksionuar të drejta për deputetët. Ato të drejta nuk i ka sanksionuar për personin, por për popullin opozitar, që përfaqësohen nga opozita. Kjo tregon se parlamenti funksionon njëlloj si në diktaturë, si në Korenë e Veriut dhe jashtë çdo lloj standardi,” u shpreh z. Berisha.

Ish-kryeministri demokrat hodhi akuza ndaj pasardhësit Edi Rama, se po përfiton familjarisht nga pushteti politik. Për këtë demokratët po mendojnë të hetojnë vajzën e kryeqeveritarit Rama.

“Parlamenti funksionon mbi bazën e respektit të Kushtetutës. Rama dhe Linda nuk mund të pranojë hetimin e Reas, që duket si engjëll, por si shushunjë pi gjakun e qytetarëve me tenderat që fiton. A mund të ndodhë që fëmija i kryeministrit të kalojë nga tenderi në tender,” deklaroi z. Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme