Berisha kundër zgjatjes së afatit të veting-ut, Manja: Ka dhënë rezultate të prekshme, duhet të vazhdojë!

Politikë | 5 vite më parë

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi këtë të enjte se do të votojë kundër zgjatjes së afatit të organeve të vetting-ut pasi sipas tij është një bashkëpunim i pengut dhe pengmarrësin, duke iu referuar kreut të PD Lulzim Basha dhe kryeministrit Edi Rama.

“Është bashkëqeverisja e pengut me pengmarrësin. Unë i kam shprehur të gjithë qëndrimet e mia ndaj këtij procesi gjigant korruptiv që shoqërohet në çdo hap me shkelje të rënda ligjore të konstatuara dhe u përdor për gjah shtrigash nga Edi Rama me ndihmën e mikut të tij Soros. U përdorën disa standarde dhe ky është një proces i flakur që nuk i beson më shoqëria shqiptare. Unë kurrë nuk do të votoj kundër atyre që besojnë shqiptarët”, tha Berisha.

Nga ana tjetër Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, iu bëri thirrje të gjithë kolegëve deputetë, që të votojnë për zgjatjen e afateve të organeve të vetting-ut deri më 31 dhjetor 2024. Manja tha se vettingu është elementi thelbësor i Reformës në Drejtësi dhe ka dhënë rezultate të prekshme, të cilat duhet të vazhdojnë.

“Reforma në drejtësi dhe Vettingu kanë arritur të japin rezultate të prekshme. Nga 8 shkurt 2018, kur është dhënë vendimi i parë nga organet e Vettingut, deri më 31 dhjetor 2021, kanë kaluar në filtër mbi 400 gjyqtarë e prokurorë, ku një pjesë kanë dalë jashtë sistemit. Janë 801 subjekte rivlerësimi, që do të duhet të kalonin në filtrin e Vettingut, ndaj mbeten akoma për të kaluar në këtë proces mbi 300 subjekte.

Për këtë arsye, sot kolegët e mi kanë propozuar ndryshime kushtetuese për t’u zgjatur afatin organeve të Vettingut. Projeksionet tona dhe të komisionit të Vettingut, deri në qershor kur skadon afati, duhet të kalojnë në filtër edhe 70 subjekte, ku ngelen më shumë se 300 subjekte për t’u rivlerësuar.

Ndaj është domosdoshmëri shtyrja e afatit me dy vjet, që ky proces të përfundojë. Është thelbësor miratimi i këtij ndryshimi kushtetues, sepse garanton mbarëvajtjen e procesit të Vettingut“, tha-Manja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme