Berisha: Kur kreu i opozitës burgoset pa asnjë akuzë dhe i ndalohen takimet dhe komunikimet, kjo është diktaturë!

Ndërsa pritet që GJKKO të vendosë për masat kundër Sali Berishës, ky i fundit udhëhoqi protestën e grupimit të Rithemelimit para Gjykatës së Lartë ku po zhvillohet seanca për vulën dhe logon e Partisë Demokratike.
Si edhe më para zoti Berisha ka akuzuar mazhorancën se ka shkelur Kushtetutën duke kërkuar arrestimin e tij. “Pse duhet kyçur në shtëpi pa asnjë dokument, fakt apo provë Sali Berisha? Vetëm e vetëm pse i ka kallur tmerrin, datën, monstrës së pluralizmit, bastardit të xhelatëve të diktaturës komuniste, Edi Ramës” pyeti dhe u përgjigj vetë zoti Bersha.
Në fokusin e sulmit të tij ishte kreu i qeverisë dhe i mazhorancës Edi Rama, i cili sipas Berishës po i përdor gjykatat si armë kundra opozitës. “Kur gjykatat përdoren si armë kundër opozitës, kjo është diktaturë.
Kur partisë më të madhe i konfiskohet haptas logoja dhe vula, kjo është diktaturë.
Kur logoja e partisë më të madhe opozitare kërkohet t’i jepet një personi që dihet botërisht se është peng i Edi Ramës, kjo është diktaturë.
Kur kreu i opozitës pa asnjë akuzë burgoset dhe i ndalohen takimet dhe komunikimet, kjo është diktaturë” ishin disa deklarata të njëpasnjëshme të kreut të Rithemelimit Sali Berisha.
“Për të gjitha këto, kjo nuk është betejë e Sali Berishës, ndonëse unë po burgosem në mënyrën më të padrejtë. Kjo është betejë për lirinë e shqiptarëve, për dinjitetin e tyre apo nënshtrimin e tyre. A do e fitojmë ne këtë betejë? Absolutisht po” tha zoti Berisha, para disa dhjetëra përkrahësve të tij, para Gjykatës së Lartë.
/rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




