Berisha: Qëlimi i Ramës është të shkatërrojë opozitën shqiptare

Kryetari i Partisë Demokratike, zgjedhur nga procesi i Rithemelimit Sali Berisha ka vijuar edhe këtë të shtunë me akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama. Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, përmes rrjetit social Facebook, Berisha tha se sipas tij Rama ka qëllim kryesor jo vetëm, shkatërrimin e tij por edhe të opozitës shqiptare.
“Sot pas 32 vitesh, për ironinë më të madhe të fatit, vendi që kontribuoi më shumë se kushdo tjetër në përmbysjen e sistemit komunist në Europë, dëshmohet, apo eksponentë të këtij vendi në zbulim, në demokraci, dëshmohen mbështetësit më fanatikë të regjimit të Edi Ramës. Angazhohen me të gjithë potencialin e shtetit të tyre të madh, vendit të lirisë, për rrënimin e opozitës shqiptare dhe shndërrimin e Shqipërisë në një shtet monopartiak siç ka qenë 46 vite. Sundim i cili nuk bazohet më në doktrinën marksiste dhe leniniste, por në krimin, drogën dhe vjedhjen. Është tragjike kur mendon se si pasaardhësi i Spiro Kolekës, pasardhësi i Kristaq Ramës, xhelatë të vërtetë të diktaturës, korrupton një nga njerëzit më të fuqishëm në fushën e zbulimit në planet, për të shkatërruar opozitën shqiptare, PD-në.
Dhe kjo vazhdon me aktin korruptiv mafioz madhor. Pasi e futën në thes ish-kreun e PD, tani duhet të rrënonin edhe një njeri tjetër, që kishte vetëm autoritet moral dhe asnjë fuqi vendimmarrëse në PD prej 8 vitesh, duhej të rrënonin Sali Berishën. Këtu mafia e Sorosit, në një lobim korruptiv me Ramën, ia dolën të fitojnë të marrin firmën e Blinken për shpalljen non-grata të një njeriu që gjatë karrierës kishte dy epitete: shumë pro-amerikan dhe i pakorruptuar. Mbi bazën e kësaj linje, guvernatorja Yuri Kim u shndërrua në mbështetësen më fanatike të organizatës kriminale të Edi Ramës. Ajo nuk ka gur pa luajtur, nuk la përpjekje pa bërë për të vazhduar kontrollin e plotë ndaj opozitës shqiptare për llogari të Edi Ramës. Nuk la mbështetje pa dhënë, nuk la rast pa treguar fanatizmin e saj në mbështetjen ndaj Edi Ramës dhe kësaj bande mafioze.
Duke përsëritur faktin se beteja e opozitës ka për qëllim largimin e Ramës nga pushteti, Berisha bëri me dije se ka në plan reformormin me anë të një referendum popullor sistemin në drejtësi sepse kjo aktuale sipas tij ka dështuar.
“Reformimi i sistemit të drejtësisë, nxjerrja e tij jashtë reformës së Xhorxh Sorosit, që e kam cilësuar se është një nga aktet më madhore të korrupsionit ndërkombëtar, ajo do ndodhë. Nuk ka deklaratë që mund të maskojë dështimin e plotë të kësaj reforme. Kjo ndërhyrje do fillojë me një referendum popullor. Më pas në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtare, ne do ndërhyjmë me reformë të thellë në këtë sistem, që t’ia kthejmë drejtësinë ligjit, që ajo të jetë e pavarur nga guvernatorë dhe mafia ndërkombëtar”, tha Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




