Berisha: Rama do ndëshkohet nga shqiptarët me votë. Meta: Ne do jemi transparentë në qeverisjen vendore

Kreu i grupit të “Rithemelimit” Sali Berisha ka deklaruar se kryeministri Rama do të ndëshkohet me votë nga qytetarët më 14 maj.
Gjatë përmbylljes së fushatës në Kurbin ku kandidon Behar Haxhia i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Berisha tha se ajo që e frikëson më shumë se çdo gjë tjetër kryeministrin Rama është vota, pasi sipas tij, jo më kot u bën thirrje demokratëve që të mos dalin në votime.
“I kapur në darën e mashtrimeve të mëdha, dhimbjeve të mëdha që u ka krijuar shqiptarëve, Edi Rama ngushëllon shpirtin e tij, duke u bërë thirrje shqiptarëve mos dilni në votime.
E kuptoni vetë pra, se çfarë tmerri ka ai nga vota juaj, është si personi që ju lutet, aman më falni. Nuk ka Edi Rama, vota e qytetarëve të Kurbinit dhe mbarë Shqipërisë do të të ndëshkojë ty në mënyrën shembullore në datën 14 maj”, u shpreh Berisha.
Sipas Berishës, Rama ndërhyri në mënyrë të padrejtë tek çmimet e mallrave duke krijuar sipas tij, borde komuniste.
“Edi Rama ndërhyre në mënyrën më kriminale në xhepin e çdo qytetari. Ndërhyre tek çmimet e mallrave që ata blejnë çdo ditë në dyqane.
Je i vetmi në Europë që krijove bordet komuniste dhe u the shqiptarëve se ato janë të dobishme. Janë të dobishme për qeverinë si ti, e cila nuk ka interesin e qytetarit, interes të parë, por ata janë varfëruese, mjeruese, për qytetarët shqiptarë, apo nuk kanë fare.
Në këtë kontekst Edi Rama me rritjen e çmimeve dhe ngrirjen e rrogave je treguar një drejtues i pamëshirë, dhe i pashpirtë. Nuk mundet kurrë në kushtet e tregut që një kryeministër të ngrijë rrogat.
Po ngrive rrogat ti zvogëlon çdo vit, të ardhurat dhe ekonominë e asaj familje. Po ngrive pensionet ti detyron pensionistët të qajnë çdo muaj me lot mjerimi, pasi paratë e tyre nuk u dalin për shkak të çmimeve”, ka theksuar Berisha.
Ai nuk la pa akuzuar edhe kryetaren në detyrë të Bashkisë së Kurbinit, që sipas tij ka arreduar zyrën me 160 mijë euro.
“Por a mundet kryetarja e Kurbinit, e një qyteti që pësoi një dramë të madhe, të arredojë zyrën me 160 mijë euro. Këta janë specie, janë një sekt që nuk kanë asgjë të përbashkët me qytetarin”, ka nënvizuar Berisha.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Ashtu si Berisha, edhe Meta lëshoi akuza ndaj mazhorancës duke thënë se fondet e tërmetit në Shqipëri janë përdorur për të areduar zyra luksoze.
“I dashur kryebashkiaku i ardhshëm i Kurbinit, Behar Haxhiu. Edhe 3 ditë dhe Bashkia e Kurbinit, do u takojë kurbinasve.
Sepse siç e thotë edhe ish gazetari i Zërit të Popullit, Behar Haxhiun e keni zgjedhur ju.
Na keni dhënë mundësinë që të mbështesim një kandidat që si kryebashiak t’i japë fund një 4 vjeçari bunker të bashkisë së Kurbinit.
Ai do të sjellë transparencën në vend të korrupsionit, që e ka lënë pa ujë Kurbinit.
Qytetarët nuk do të intimidohen më as me fatkeqësinë e tërmetit, ku fondet e tërmetit u përdorën për të blerë kolltuqe luksoze me masazh dhe aredim luksoz zyrash.
Haxhiu do të bëjë transparente para jush të gjitha të ardhurat që vijnë në Bashkinë e Kurbinit”, theksoi Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




