Berisha sërish për kryeministër? Fatmir Mediu tregon zgjidhjen sipas modelit amerikan

Kryetari i PR, Fatmir Mediu, ka bërë publik platformën e krijimit të një federate opozitare me pjesëmarrjen e të gjithë partive të opozitës, brenda dhe jashtë parlamentit.
“Nëse opozita nuk është e bashkuar, e ka të pamundur të përballet me këtë situatë. Prandaj na duhet të bashkohemi në një federatë, ku çdo individ jep kontributin e vet. Opozita nuk ka rrugë tjetër veçse të dalë me koalicion. Çdo dalje tjetër është treguar se është vetëvrasje,” tha z. Mediu në një intervistë për emisionin “Pa censurë”.
Në platformën e zotit Mediu, që mbështetet nga disa parti të vogla parlamentare dhe joparlamentare, përcaktohet se Federata koordinohet nga 3 deputetë, përfaqësues të të gjithë palëve, por vendimet nuk i marrin ata.
“Vendimet brenda federatës merren me konsensus ose me votat e 2/3 e deputetëve”- u shpreh kreu i republikanëve, sipas të cilit në federatë nuk ka vend për përjashtime. “Federata përfshin çdo faktor opozitar në parlament dhe jashtë tij. Kush do që të përjashtohet vetë, dakord, por jo opozita të marrë qëndrim se ky vlen dhe ky jo,” iu referua Mediu pyetjes që lidhej me praninë e Lulzim Bashës në këtë federatë.
Një aleat i përhershëm i PD në qeveri dhe në opozitë, Fatmir Mediu shprehet i rezervuar për rolin e Sali Berishës në Federatë. Pyetjes nëse zoti Berisha duhet të jetë kandidat për kryeministër, zoti Mediu iu përgjigj me tone diplomatike, por qëndrimi ishte i qartë jo në favor të Berishës.
“Zoti Berisha, unë, zoti Meta, zoti Basha e kemi provuar parlamentarizmin dhe qeverisjen. Jo çdo gjë ka të bëjë vetëm me ne. Mendoj se ka kapacitete të jashtëzakonshme për të qeverisur këtë vend edhe brenda grupit parlamentar, tek formacioni opozitar dhe në diasporë. Pra, s’duhet kthyer çështja vetëm tek “do të jetë apo jo Berisha”. Për 9 vjet kishim Lul Bashën kryeministër, por ishte kryeministër në opozitë, nuk u bë ndonjëherë kryeministër. Çështja është të gjejmë zgjidhje për të krijuar një trupë që e çon opozitën drejt fitores dhe të përcaktojmë dhe mekanizmat e përzgjedhjes së qeverisë,” tha kryetari i PR, Fatmir Mediu.
Për të ilustruar idenë e tij, z. Mediu iu referua modelit amerikan për zgjedhjen e vështirë të kryetarit të Kongresit javët e fundit.
“Përzgjedhja e kryetarit të ri të kongresit shkoi në një proces me disa hapa, me disa kandidatura. Dhe u arrit në një figurë konsensuale. Të elaborojmë të tilla procese edhe brenda opozitës, që të shohim kush merr mbështetjen e të gjithëve për të arritur që të kemi një qeverisje të së djathtës, përndryshe do të mbetet ky që është në pushtet,” tha zoti Mediu në një intervistë për emisionin “Pa censurë” në RTSH.
Gazetare: Elona Meço
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




