Bilanci mjekësor, Trump gëzon shëndet të fortë, por këshillohet për dietë dhe aktivitet fizik

Ekzaminimi i fundit vjetor mjekësor i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i kryer pak javë përpara ditëlindjes së tij të 80-të, konfirmon se kreu i Shtëpisë Blerthë gëzon një gjendje të përgjithshme solide shëndetësore. Sipas memorandumit zyrtar të lëshuar nga mjeku i tij personal, Kapiteni Sean Barbabella, Trump është shpallur “plotësisht i aftë” për të përmbushur të gjitha detyrat e tij kushtetuese si Komandant i Përgjithshëm dhe Kryetar Shteti, ndonëse raporti mjekësor liston disa pika ku kërkohet kujdes, përfshirë shtimin në peshë dhe menaxhimin e medikamenteve.
Kontrolli i realizuar në Qendrën Mjekësore Ushtarake Kombëtare “Walter Reed” shënon ekzaminimin e tij të tretë të njohur që prej rikthimit në zyrën presidenciale vitin e kaluar.
Rezultate maksimale në testin Kognitiv dhe të shëndetit kardiak
Si personi më i vjetër i inauguruar ndonjëherë në historinë e SHBA-së, shëndeti mendor i Trump ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes publike. Megjithatë, raporti i ri mjekësor hedh poshtë spekulimet, duke treguar se presidenti arriti rezultat maksimal në Vlerësimin Kognitiv të Montrealit (MoCA), një test standard për matjen e aftësive mendore.
Në lidhje me parametrat kryesorë fizikë, në memorandum thuhet:
“Trump ishte ‘brenda kufijve normalë’ në Vlerësimin Kognitiv të Montrealit, një test i zakonshëm i shëndetit kognitiv, duke marrë 30 nga 30 pikë rrahjet e zemrës në gjendje pushimi ishin 73 rrahje në minutë, dhe mosha e tij kardiake u vlerësua të ishte afërsisht 14 vjet më e re se mosha e tij kronologjike.”
Dr. Barbabella shtoi se “agjenda e tij e përditshme e ngarkuar, duke përfshirë takime të shumta të nivelit të lartë, angazhime publike dhe aktivitet të rregullt fizik, vazhdon të mbështesë mirëqenien e tij të përgjithshme.”
Shtimi në peshë dhe këshillat për ndryshimin e stilit të jetesës
Pavarësisht treguesve të fortë kardiakë dhe neurologjikë, ekzaminimi vuri në dukje se Donald Trump peshon aktualisht 108 kg, duke regjistruar një rritje prej 6.3 kg që nga kontrolli i kaluar në prill të vitit 2025. Për këtë arsye, stafi mjekësor i Shtëpisë së Bardhë ka hartuar një udhëzues të ri për dietën e tij.
Siç specifikohet në raport:
“Barbella tha se presidentit i ishin dhënë udhëzime për dietën, aktivitetit fizik dhe humbjen e vazhdueshme të peshës, dhe ishte duke marrë ilaçe për të kontrolluar kolesterolin.”
Nga ana tjetër, vetë Trump ka shprehur hapur rezistencën e tij ndaj regjimeve klasike të palestrës, duke pranuar se parapëlqen të mos bëjë ushtrime të rregullta përveç lojës së tij të dashur të golfit:
“Thjesht nuk më pëlqen. Është e mërzitshme. Të ecësh në një pistë vrapimi ose të vraposh në të për orë të tëra siç bëjnë disa njerëz, kjo nuk është për mua.”
Sqarimi mjekësor mbi mavijosjet dhe përdorimin e aspirinës
Raporti ka adresuar gjithashtu disa shqetësime publike lidhur me mavijosjet e dukshme në duart e tij dhe enjtjet e këmbëve, të cilat u dalluan veçanërisht gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos në fillim të këtij viti. Dokumenti konfirmon se enjtja në këmbë lidhet me “pamjaftueshmërinë kronike venoze” të diagnostikuar në korrik, e cila megjithatë shfaq përmirësim.
Sa i përket shenjave në duar, mjeku sqaroi se bëhet fjalë për një efekt dytësor të kombinuar me protokollin e tij të mjekimit:
“Mavijosja në dorën e Trump u shpjegua në raport si ‘në përputhje me acarim të vogël të indeve të buta që lidhet me shtrëngimin e shpeshtë të duarve’ ndërsa merrte aspirinë për ‘parandalim kardiovaskular’ një efekt i zakonshëm dhe beninj i terapisë me aspirinë.”
Në një rrëfim të mëparshëm për Wall Street Journal, vetë Trump kishte shpjeguar se merrte një dozë të lartë prej 325 mg aspirinë në ditë (mbi normën standarde parandaluese prej 81 mg) pasi, sipas fjalëve të tij, nuk “donte që gjaku i trashë t’i rrjedhte nëpër zemër”. Raporti përfundon duke konfirmuar se përveç aspirinës, presidenti po merr dy medikamente për menaxhimin e kolesterolit dhe mbetet i përditësuar me të gjitha vaksinimet parandaluese.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





