Bozdo: Shqipëria shpenzoi rreth 690 milionë euro energji

Eno Bozdo, zyrtari i lartë i PD, tha të shtunën se, “Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin e fundit, pasi ka audituar menaxhimin e Kaskadës së Lumit Drin, konkludon se gjatë periudhës maj-gusht 2021, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, KESH, në kundërshtim me rregulloren, zbrazi thuajse të gjithë rezervën energjetike të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës”.
“Raporti saktëson se në muajt maj-tetor të vitit 2021, rezerva energjetike e Kaskadës së Drinit u zvogëlua me mbi 3 herë, nga 1400 GWh në 440 GWh”, u shpreh Bozdo.
“Gjatë kësaj periudhe, KESH furnizoi OSHEE-në me 30% të të gjithë sasisë së kontraktuar për vitin 2021. Çmimet e energjisë në bursë në këtë periudhë nuk e kalonin nivelin e 60 euro për MWh”, tha Bozdo.
“Por në tetor, pasi nuk ishim me asnjë pikë uji në rezervuaret e HEC-eve, çmimet në tregun botëror ishin thuajse trefishuar”, u shpreh ai.
Pra, shtoi Bozdo, “për ta thjeshtuar, shitën të gjithë energjinë me 10 lek, dhe u detyrua ta blejmë po atë sasi energjie me 30 lekë brenda harkur kohor të tre muajve. Në vetëm tre muaj, shqiptarët u varfëruan 3 herë dhe sigurisht dikush tjetër u pasurua 3 herë”.
Bozdo shtoi se, qeveria i dha KESH-it 360 milionë euro.
“Pavarësisht kësaj, KESH doli me humbje prej 230 milion eurosh edhe në vitin 2022. Në total, për të siguruar energjinë që na duhej, gjatë vitit 2021 dhe gjashtëmujorit të parë 2022, Shqipëria shpenzoi rreth 690 milionë euro energji”, tha Bozdo.
“Ndërkaq, dy anijet “shpëtimtare” që do të ndosin Vlorën duke prodhuar energji, qëndrojnë ende të ankoruara në Portin e Vlorës pa bërë absolutisht asgjë. Qiraja ditore që shqiptarët paguajnë për këto dy anije është rreth 90 mijë euro në ditë, dhe në fund të periudhës dy vjeçare, ne do të paguajmë rreth 65 milionë euro në total, pa u vënë asnjëherë në punë”, theksoi Bozdo. ( Sipas ATSH )
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




