BQE: Gati 10 milionë qytetarë votuan për dizajnin e kartëmonedhave të reja euro

Një total prej 9.96 milionë njerëz në Evropë dhe në mbarë botën kanë marrë pjesë në sondazhin publik të organizuar nga Banka Qendrore Evropiane (BQE) për përcaktimin e dizajnit të kartëmonedhave të ardhshme euro. Rezultati u bë i publikuar zyrtarisht nga vetë institucioni financiar.
Duke komentuar shifrat e arritura, Presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, e cilësoi procesin si një sukses domethënës.
“Ky rezultat i jashtëzakonshëm tregon se sa të interesuar janë evropianët për kartëmonedhat e tyre të ardhshme.”, tha ajo.
Sipas të dhënave zyrtare, në anketë morën pjesë 2.6% e popullsisë së eurozonës. Një tregues i rëndësishëm i këtij procesi ishte përfshirja e gjerë e gjeneratave të reja. BQE-ja bëri të ditur se interesi ishte i fortë në të gjitha grupmoshat, ku “dy të tretat e përgjigjeve vinin nga njerëz nën 35 vjeç”.
Tematikat dhe hapat e mëtejshëm drejt vendimit final
Sondazhi u zhvillua gjatë periudhës nga 23 korriku deri më 21 shtator 2026. Gjatë këtij harku kohor, qytetarët patën mundësinë të shprehnin mendimet dhe preferencat e tyre mbi dhjetë dizajne finaliste, të cilat ishin të frymëzuara nga temat kryesore “Kultura Evropiane” dhe “Kërkesat e Lumenjve dhe Zogjve”.
Për të siguruar një proces sa më përfaqësues, paralelisht është duke përfunduar një sondazh i dytë me të njëjtat pyetje, i cili po kryhet nga një firmë kërkimore e pavarur pranë një mostre përfaqësuese të qytetarëve të zonës së euros.
Rezultatet e dy sondazheve, së bashku me rekomandimet e jurisë së pavarur të konkursit dhe një vlerësim teknik, do t’i paraqiten Këshillit Drejtues të BQE-së. Mbi këtë bazë, institucioni pritet të marrë vendimin përfundimtar mbi konceptin e dizajnit për kartëmonedhat e ardhshme euro rreth fundit të vitit 2026.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




