Brnabiç merr përkohësisht detyrën e Presidentes: Serbia nuk do të ketë kurrë një president si Vuçiç

Rajon | 1 orë më parë

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiç, ka marrë detyrën e Presidentes së Përkohshme të Republikës pas dorëheqjes së Aleksandër Vuçiç.

Në një deklaratë për media, Brnabiç deklaroi se ndihet e nderuar që ka marrë detyrën dhe theksoi se Serbia nuk do të ketë më kurrë një president që ka sakrifikuar kaq shumë sa Vuçiç duke luftuar për mbrojtjen dhe ruajtjen e vendit.

“Mendoj se Serbia nuk do të ketë më kurrë një president që luftoi kaq shumë, që sakrifikoi kaq shumë dhe la gjithçka tjetër mënjanë për hir të Serbisë. Jam e nderuar që marr këtë detyrë nga një njeri i tillë dhe që jam në gjendje ta ruaj këtë pozicion derisa populli të zgjedhë se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i Republikës së Serbisë“, tha Brnabić në Presidencën e Serbisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dha zyrtarisht dorëheqjen të dielën (27 shtator) për të udhëhequr Partinë e tij Progresive Serbe (SNS) në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara për më 25 tetor, ku synon të marrë postin e Kryeministrit. Lëvizja e tij politike konsiderohet një test vendimtar për pushtetin e tij 14-vjeçar, pas gati dy vitesh protestash të vazhdueshme masive në të gjithë vendin.

Mandati i dytë presidencial i Vuçiçit përfundonte në maj të vitit të ardhshëm, ndërsa Kushtetuta e Serbisë i ndalon atij kandidimin për një mandat të tretë radhazi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme