Bullizmi kibernetik, psikologët: Fenomeni shkakton pasoja në shëndetin mendor të fëmijëve
Ndarja e fotografive turpëruese në mediat sociale, dërgimi i mesazheve dhe videove lënduese apo kërcënuese kundrejt dikujt që ka vështirësi të vetëmbrohet po bëhen gjithnjë e më prezente ndërmjet nxënësve në shkolla.
Fenomeni ka gjetur përhapje në vitet e fundit dhe targeti i këtyre ngacmimeve janë fëmijët e moshës 10 deri në 17 vjeç.
“Ne kemi një shtim të rasteve të fëmijëve të cilët janë të prekur nga bulizmi kibernetik. Kjo vjen edhe për shkak të përdorimit masiv të mjeteve të teknologjisë, përdorimit të profileve në rrjetet sociale, por nga ana tjetër kjo vjen edhe si pasojë e shtimit të denoncimeve të këtyre rasteve. Pra janë të gjitha ato forma të abuzimit të cilat, nëse më përpara kanë qenë të përhapura në jetën reale, po themi në marrëdhëniet reale, tashmë janë bërë pjesë edhe e marrëdhënieve të cilat ndodhin në rrjetet sociale”, tha psikologia.
Psikologët sqarojnë se bulizmi kibernetik shkakton problematika të mëdha në shëndetin mendor të fëmijëve.
“Pasojat janë shumë të rënda, elementë të shtuar të ankthit, gjendje depresive. Kemi parë dhe jemi të gjithë prezentë në raste të cilat kanë shkuar edhe në agresivitet ndaj njëri-tjetrit, të cilët mund të kenë dëmtuar jetën e moshatarëve si pasojë e këtyre konflikteve të gjeneruara nga materiale të përçuara në rrjete sociale, por edhe me tentativa të sjelljeve vetwdwmtuese apo vetëvrasëse”, tha ajo.
Por cilat janë sinjalet që na bëjnë të kuptojmë që një fëmijë po përjeton bulizëm kibernetik?
“Ndryshimet e rutinës së përditshme janë një sinjal shumë i rëndësishëm. Na japin gjithmonë indic apo sinjale që një gjë po ndodh me fëmijën dhe sa më të vëmendshëm të jemi, aq më shpejt mund të ndërhyjmë për të parandaluar pastaj dhe problematika që mund të jenë edhe më të gjëra”, u shpreh psikologia.
Psikologët sugjerojnë komunikim të vazhdueshëm të prindërve me fëmijët, mosneglizhimin e sjelljeve që ndryshojnë nga rutina e përditshme si dhe rimodelimin e orës së punës së mësuesit vetëm mbi fëmijën për të garantuar një edukim të shëndetshëm dhe të përgjegjshëm për të gjithë nxënësit në institucionet shkollore.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




