Çeki, ushtria ndërton spital për covid

Republika Çeke regjistroi të enjten 9,721 raste të të infektuarve me koronavirus – shifër kjo rekord brenda një dite dhe 14 vdekje. Totali viktimave ka arritur në 1,230. Vendi me 10.7 milionë banorë ka konfirmuar gjithsej 149,010 raste pozitive, që nga fillimi i pandemisë në muajin mars. Gati 50,000 prej tyre janë regjistruar javën e kaluar.
Kjo situatë duket se do të vendosë në vështirësi sistemin shëndetësor në vend dhe ka diktuar nevojën për shtim të shtretërve spitalor. Spitalet në të gjithë Çekinë i kanë shtyrë operacionet jo të domosdoshme, për tu përqendruar në rritjen e numrit të pacientëve me koronavirus. Një plan i ngjashëm është gati edhe për qytetin e dytë më të madh çek, Bërno.
Qeveria po ashtu është duke negociuar me Gjermaninë fqinje dhe disa vende të tjera për trajtimin e çekëve atje, nëse sistemi i tyre shëndetësor mbingarkohet. Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, Republika Çeke ka aktualisht shkallën më të rëndë të infektimit në Evropë, me 660 të infektuar në 100,000 banorë, gjatë 14 ditëve të fundit. Gjermania ka regjistruar 7 334 infeksione të reja të koronavirusit në 24 orët e fundit, deklaroi instituti ”Robert Koch”.
Dje, vendi regjistroi 6 638 raste të reja, ndërkohë që numri i sotëm thyen rekordin me shifrën më të lartë ditore në Gjermani që nga fillimi i pandemisë. Kulmi i mëparshëm i infeksionit me rreth 6 300 raste në ditë rezultonte në fund të marsit, por ka të ngjarë që të ketë pasur shumë më shumë raste në atë kohë, pasi kapaciteti i testimit është zgjeruar shumë që nga ajo kohë. Ekzistojnë shqetësime në lidhje me numrin në rritje të pacientëve Covid-19 që po marrin kujdes intensiv.
Qeveritë e disa vendeve evropiane kanë nisur nga e mërkura ashpërsimin ekstrem të masave të frenuar ritmet rekord të valës së dytë të përhapjes së COVID-19. Çekia nisi të aplikojë karantinën e pjesshme duke mbyllur baret, restorantet, shkollat, konviktet, aktivitetet kulturore e sportive. Qeveri e Holandës po ashtu ka vendosur të mbyllë nga ora 22:00, baret dhe restorantet për 4 javët në vazhdim. Masat janë ashpërsuar edhe në Francë, Spanjë, Poloni.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




