CENS/ “Kujdes me shkeljet e regjistrimit”, Drejtoresha e INSTAT: Çfarë duhet të tregoni për anketuesit

Nuk ka pasur shkelje që dëmtojnë procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave. Ky proces vijon normalisht dhe është shtrirë në të gjithë territorin e vendit duke iu afruar rreth 50 për qind realizimit të tij.
Por kreu i INSTAT, Elsa Dhuli këmbëngul që qytetarët duhet të kenë në vëmendje disa detyrime për të pasur një proces standard sipas parimeve të OKB.
“Anketuesi duhet të ketë të varur një bexh, veshur një jelek me logon e Censit, të ketë një tablet si edhe një çantë të varur në krahë. Qytetarët nuk duhet të pranojnë një anketues pa tablet në dorë. Qytetari nuk duhet të pranojë kryerjen e intervistës me letër veçse me tablet”, tha Dhuli.
Disa dukuri që janë shfaqur në këtë proces ai ato të kërkesës së anketuesve për deklarimin e pagave apo dokumentet e pronësisë së apartamenteve, apo në ndonjë rast edhe plotësimit të formularit nëpërmjet telefonit të anketuesit, drejtoresha e përgjithshme e INSTAT iu përgjigjet qartë dhe prerë.
“Të gjithë anketuesit janë trajnuar që duhet të bëjnë të gjitha pyetjet që përmban pyetësori në formatin elektronik. Pyetsori i Censit kërkon në informacion që bazohen në vetëdeklarimin e qytetarëve. Anketuesit nuk duhet të kërkojnë dokumente si kontratë shtëpie, certifikatë, kontratë qira marrje dhe dhënie, si edhe nuk pyeten të dhëna financiare, si paga. Këto nuk janë pyetje të pyetësorit të Censit” u shpreh ajo.
Procesi i CENS-it vlerësohet si procesi më i rëndësishëm që ndërmerret nga institucioni përgjegjës për këtë regjistrim kudo në Botë. INSTAT respekton të gjithë standardet e njohur ndërkombëtare në këtë proces.
Qershori 2024 do të jetë muaji kur finalizohen dhe bëhen publike të dhënat e përfituara nga regjistrimi i vitit 2023.
Gazetar: Bardhi Sejdarasi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




