Çështja e pagave, Xhafaj: Reagimet e gjyqtarëve kanë shkuar larg, kërkohet vetëpërmbajtje
Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, ka trajtuar në Kuvend lidhur me debatin e fundit për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke theksuar se disa veprime të fundit brenda sistemit të drejtësisë kanë kaluar kufijtë.
Sipas Xhafajt, reagimet e ditëve të fundit tregojnë se disa persona brenda sistemit “kanë shkuar tepër larg”. Ai ka kërkuar vetëpërmbajtje, proporcionalitet dhe përgjegjësi institucionale, pa paragjykuar mjetet juridike që mund të përdorë secili.
Deputeti ka kritikuar mënyrën se si kanë vepruar Këshilli i Lartë i Gjyqësorit (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), thirrjen e një mbledhjeje të përgjithshme të gjyqtarëve, kallëzimin penal ndaj punonjësve të thesarit, padinë e shpejtë në Gjykatën Administrative, gjykimin e shpejtë dhe sigurimin e padisë, si dhe thirrjet për bojkot e deri për grevë – veprime që sipas tij janë të ndaluara nga ligji.
“Reagimet e ditëve të fundit tregojnë se sistemi ka shkuar, disa njerëz në sistem kanë shkuar tepër larg. Pa paragjykuar mjetet juridike që mund të përdorë secili, kërkohet vetëpërmbajtje, proporcionalitet dhe përgjegjësi institucionale.
Mënyra se si vepruan KLJ-ja dhe KLP-ja, se si u thirr një mbledhje e përgjithshme e gjyqtarëve, kallëzimi penal ndaj punonjësve të thesarit, padija e rrufeshme në gjykatë administrative, gjykimi i rrufeshëm dhe sigurimi i padispasencë, një precedent i rrallë në atë gjykatë, thirrjet për bojkot dhe deri për grevë një gjë e ndaluar rrepësisht nga ligji dhe sidomos deklarimet publike të disa prej tyre jashtë etikës që lejon ligji dhe vetë figura publike e gjyqtarit ka ndikuar në perceptimin dhe besueshmërinë e qytetarëve”, u shpreh Xhafaj.
Ai ka vënë theksin edhe te deklaratat publike të disa gjyqtarëve, të cilat i ka cilësuar jashtë etikës që lejon ligji dhe figura publike e gjyqtarit, duke ndikuar negativisht në perceptimin dhe besueshmërinë e qytetarëve.
Xhafaj ka nënvizuar se është i bindur se gjyqtarët duhet të kenë paga të larta dhe se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhen zbatuar, pavarësisht vlerësimeve personale.
“A është e drejtë që gjyqtarët të kenë një pagë të lartë? Sigurisht që po. Kam qenë dhe mbetem absolutisht i bindur dhe mbështetës për këtë gjë.
Edhe që vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht çfarë mendojmë rreth tyre duhet t’i zbatojmë. Kjo është e padiskutueshme. Pavarësia nuk mbrohet nga fryma dhe praktikat korporatiste dhe lidhjet klienteliste brenda sistemit.
Pavarësia nuk është privilegj institucional dhe as imunitet nga përgjegjësia. Pikërisht për këtë arsye ajo duhet të ecë bashkë me integritetin, llogaridhënien, transparencën, vetëpërmbajtjen dhe etikën. Dhe dua ta them qartë, ky shqetësim nuk duhet përgjithësuar ndaj të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve”, theksoi Xhafaj.
Sipas tij, pavarësia e sistemit të drejtësisë nuk mbrohet me praktika korporatiste apo lidhje klienteliste, por duhet të shoqërohet me integritet, llogaridhënie, transparencë, vetëpërmbajtje dhe etikë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




