“Çokollatë dhe reçel i helmuar”, presidenti i Ekuadorit pretendon se kanë tentuar ta vrasin tre herë

Presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa, pretendon se ka kaluar një muaj të tërë, duke i mbijetuar jo një por tre atentateve të dyshuara për vrasjen e tij. Tentativa e fundit, sipas tij, përfshinte dhurata me reçel dhe çokollata të përziera me kimikate helmuese.
Gjatë një interviste për CNN, presidenti tha se dhuratat kishin “përqendrime shumë të larta të tre kimikateve” dhe ishte “praktikisht e pamundur që këto të ishin të pranishme së bashku aksidentalisht në ato nivele”.
“Askush nuk hedh koktej Molotovi mbi veten e tij… ose nuk helmohet me çokollatë, ose nuk hedh gurë mbi veten e tij”, tha ai, duke iu referuar incidenteve të mëparshme.
Kjo vjen vetëm disa javë pas një tjetër atentati të dyshuar, kur një turmë qëlloi me gurë makinën e presidentit Noboas ndërsa ai udhëtonte për në një takim në provincën Canar. Shenja plumbash u gjetën më vonë në automjet, sipas ministres së energjisë Ines Manzano, ndërsa ditë më parë, sipas Noboas, një turmë tjetër hodhi kokteje Molotov dhe raketa të bëra vetë drejt automjetit të tij.
“Nuk ishin vetëm shkopinj dhe gurë. Kishte raketa të bëra në shtëpi, kokteje Molotovi, predha që mund të të vrisnin dhe nga lart, ata hodhën gurë në xhamin e përparmë dhe kapakun e motorit të makinës. Nëse një nga këto raketa të bëra në shtëpi të godet në gjoks ose në kokë, do të të vrasë”, tha Noboa.
Komentet e tij vijnë pas përleshjeve të dhunshme në Ekuador për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimeve të karburantit gjatë presidencës së tij. Politikani i qendrës së djathtë ka sjellë masa të forta ushtarake kundër bandave të drogës, por është përballur edhe me akuza për shënjestrimin e protestuesve.
Por nuk janë vetëm ato rrjete kriminale që janë kthyer kundër Noboas. Me rritjen e përsëritur të normave të vrasjeve dhe rritjen e pakënaqësisë për çështje ekonomike, siç është çmimi i naftës, Noboa po përjeton rënie të mbështetjes së dikurshme. Në shkurt të vitit 2024, 81% e ekuadorasve e miratuan atë. Nga atëherë kjo mbështetje ka rënë në rreth 50%, sipas firmës lokale të sondazheve Cedatos.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





