Covid përplas Trump dhe Biden

Presidenti i SHBA Donald Trump dhe kundërshtari i tij demokrat Joe Biden debatuan në distancë të enjten në mbrëmje. Presidenti Trump dhe sfidanti i tij demokrat, Biden iu shmangën pyetjeve kryesore gjatë eventeve të veçanta me pyetje-përgjigje me votuesit, që u mbajtën dhe u transmetuan njëkohësisht në rrjete të veçanta televizive, pasi debati i planifikuar fillimisht për të enjten u anulua pasi Trump u prek nga COVID-19.
Kandidati demokrat presidencial, Joe Biden, kritikoi të enjten atë që ai e quajti përgjigjen e nxitur nga “paniku” të Presidentit Donald Trump ndaj pandemisë së koronavirusit, ndërsa zoti Trump mbrojti menaxhimin nga ana e tij të një krize që ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 217,000 amerikanëve.
Trump që foli për NBC e mbrojti reagimin e tij ndaj pandemisë, përfshirë këtu dhe aktivitetin në Kopshtin e Trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë, ku vetëm pak vetë mbanin maska ose praktikonin distancimin fizik, gjë që rezultoi në infektimin e shumë vetëve. “Unë jam president – duhet të takohem me njerëz, nuk mund të rri në bodrum”. Rrjeti televiziv NBC News transmetoi drejtpërdrejtë takimin e presidentit Trump me votuesit e qytetit të Majamit në shtetin e Floridës.
Ndërkohë rrjeti televiziv ABC News transmetoi takimin me Biden në qytetin e Filadelfias të shtetit të Pensilvanisë, në të njëjtën orë. Trump, i cili ndërpreu në mënyrë agresive Biden gjatë një debati kaotik dy javë më parë, ruajti të njëjtin ton luftarak, duke u përplasur shpesh me moderatoren Savannah Guthrie. Një debat përfundimtar mes tij dhe Biden vazhdon të jetë i planifikuar ende për në 22 Tetor në Nashville të Tenesi.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




