Debati për pagat e magjistratëve, Rama: Gjykata Kushtetuese është arbitri, por nuk mund të gjuajë penalltinë
Gjatë debatit në Kuvend për pagat e magjistratëve, kryeministri Edi Rama u ndal te roli i Gjykatës Kushtetuese dhe raporti i saj me pushtetin ligjvënës. Duke folur për projektligjin që synon ndryshime në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, Rama e krahasoi Gjykatën Kushtetuese me një arbitër në një ndeshje futbolli, duke argumentuar se ajo mund të konstatojë shkeljet dhe të rrëzojë një normë, por nuk mund të marrë kompetencat e Kuvendit për të përcaktuar përmbajtjen e një ligji. Rama theksoi se Gjykata Kushtetuese është një pushtet i pavarur, si nga Kuvendi, ashtu edhe nga pushteti ekzekutiv, dhe se roli i saj është të kontrollojë përputhshmërinë e akteve me Kushtetutën.
““Gjykata Kushtetuese është arbitri. Ajo nuk mund ta ndalojë lojën, mund të konstatojë shkeljen, mund ta anulojë golin, por s’mund të marrë topin dhe të thotë: topi është i imi, penalltinë do ta gjuaj unë. Gjykata Kushtetuese si një pushtet tjetër i pavarur është e pavarur prej nesh si ligjvënës dhe është e pavarur prej nesh si pushtet ekzekutiv për të na treguar se kur e ngremë dorën gabim”, tha ai.
Sipas kryeministrit, megjithatë, kjo pavarësi nuk i jep Gjykatës Kushtetuese kompetencën për t’i diktuar Kuvendit mënyrën se si duhet të hartojë apo votojë një normë ligjore.
“Por nëse ne ngremë dorën gabim dhe Kushtetuesja na thotë: ‘Me këtë ngritje dore shkelet kjo normë’, Gjykata Kushtetuese s’mund t’i thotë kurrë një pushteti të pavarur si ai i Kuvendit se si duhet ta ngrejë dorën. Kjo s’mund të ndodhë. Sot në sallë janë 84 vota, të nevojshme për të miratuar këtë normë. Gjykata mund të shfuqizojë një taksë që diskriminon në mënyrë antikushtetuese një kategori qytetarësh, Gjykata s’mund të vendosë normën e taksës sa duhet të jetë. Mund të rrëzojë një dispozitë pensioni që cenon barazinë apo sigurinë juridike, por s’mund të hartojë skemën e pensioneve dhe të përcaktojë sa lekë do marrë pensionisti”, theksoi Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




