Deklaratat e kreut të SPAK për çështjen Balluku, reagon Bardhi: Zbatoni ligjin, mos bëni politikë

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratave të kreut të SPAK-ut lidhur me çështjen e ish-ministres Belinda Balluku, duke akuzuar Prokurorinë e Posaçme për zbatim të standardeve të dyfishta dhe vendosje të politikës përpara ligjit. Në reagimin e tij, Bardhi shprehet se deklaratat e bëra nga drejtuesi i SPAK-ut konfirmojnë, sipas tij, se institucioni po ndjek një qasje të ndryshme në trajtimin e çështjeve që lidhen me zyrtarë të lartë.
“SPAK-u ka vendosur politikën përpara ligjit për imunitetin e Belinda Ballukut. Ajo që deklaroi sot drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme për çështjen Balluku konfirmon se standardi i dyfishtë për të sjellë në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit është në veprim. Përndryshe, nuk ka sesi drejtuesi i SPAK-ut të deklarojë sot, nga njëra anë, se ‘mungesa e një mase e vështirëson një hetim edhe e dëmton atë’, dhe, nga ana tjetër, të mos veprojë në mbrojtje të hetimit duke mos sjellë në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e ish-zëvendëskryeministres”, deklaron Bardhi.
Deputeti demokrat thekson se, sipas tij, dëmi më i madh ndaj drejtësisë nuk vjen vetëm nga mungesa e një mase sigurimi, por nga zbatimi i standardeve të ndryshme në raste të ngjashme.
“Më shumë se mungesa e masës së sigurimit, hetimin dhe drejtësinë e dëmtojnë standardet e dyfishta në sjelljen e Prokurorisë. Është e papranueshme që ligji të sjellë një reagim të Prokurorisë në dhjetor 2025 dhe një reagim tjetër të ndryshëm në qershor 2026”, shprehet ai.
Në reagimin e tij, Bardhi akuzon gjithashtu drejtuesin e SPAK-ut se, në vend që të zbatojë ligjin, po bëhet, sipas tij, pjesë e mbrojtjes politike të Belinda Ballukut. Ai kujton se një muaj më parë SPAK bëri publik sekuestrimin e një vile dhe njoftoi dyshime të reja për korrupsion dhe pastrim parash ndaj saj.
Sipas Bardhit, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme u detyrohet shqiptarëve përgjigje për disa çështje që, sipas tij, kanë mbetur pa sqarim. Ai ngre tre pyetje publike:
“Pse, tani që vetë SPAK ka bërë publik rëndimin e pozitës penale të Belinda Ballukut me dyshimet për korrupsion dhe pastrim parash, nuk i drejtohet Kuvendit me kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e saj? Kush po e pengon Prokurorinë e Posaçme të zbatojë ligjin, kur ligji dikton se, me rëndimin e pozitës penale, duhet të rëndohet edhe masa e sigurimit, pikërisht standardi që vetë SPAK vendosi në dhjetor? A ka ndërhyrë Edi Rama te drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme për të shtyrë, të paktën deri në shtator, zbatimin e ligjit dhe të të njëjtit standard në çështjen Balluku?”, pyet Bardhi.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së thekson se një prokuror i pavarur duhet të zbatojë ligjin dhe jo të udhëhiqet nga interesat politike.
“Një prokuror i pavarur nuk bën politikë sipas interesave të momentit të Kryeministrit dhe nuk bëhet pjesë e makinacioneve dhe llogarive politike. Një prokuror i mirë zbaton ligjin. Ligji është i njëjti me atë të dhjetorit të kaluar, kur drejtuesi i SPAK deklaroi se ‘kur rëndohet pozita penale, duhet të rëndohet edhe masa e sigurimit’. Shpresoj shumë që, në SPAK, të mos jenë duke pritur edhe arratisjen e Belindës dhe më pas të lajnë duart si Ponc Pilati”, përfundon Bardhi në reagimin e tij.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





