Dëmet në ambasadën serbe në Teheran, Vuçiç: Kisha paralajmëruar sulmet, stafi do tërhiqet drejt Bakusë dhe Azerbajxhanit

Rajon | 7 muaj më parë

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka reaguar pas dëmeve që pësoi Ambasada e Serbisë në Teheran si pasojë e sulmeve të së shtunës.

Ai theksoi se objekt i shënjestrës së sulmit amerikan ishte baza e Pasdjar, ndonëse dëme pësoi dhe ambasada serbe.

Ai sqaroi se stafi i ambasadës serbe do të tërhiqet drejt Bakusë dhe Azerbajxhanit, ndërsa shtoi se në Iran ndodhen 14 qytetarë serbë. Vuçiç nënvizoi se sapo të hapet hapësira ajrore në Lindjen e Mesme, Serbia do të dërgojë aeroplanë për të marrë qytetarët e saj.

“Ambasada u dëmtua. Ambasada jonë nuk ishte shënjestra. Shënjestra e sulmit amerikan ishte baza e Pasdjar, por sigurisht që shrapnelat dhe të gjitha mbeturinat dëmtuan ambasadën tonë”, tha Vuçiç.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse ka një plan që vendi të mbetet i qëndrueshëm pavarësisht konfliktit në Lindjen e Mesme, ashtu siç kushtet në vend ishin të qëndrueshme gjatë krizave të mëparshme në botë, Vuçiç tha se pasojat e konfliktit në Lindjen e Mesme do të jenë të gjera, ndonëse theksoi se Serbia do të ruajë stabilitetin.

Ai shtoi se kishte paralajmëruar më parë për situatën në rajonin e Lindjes së Mesme dhe madje kishte thënë ditën kur do të kishte një sulm.

“Thashë se do të jetë midis të premtes dhe të shtunës. Ata gjithmonë e bëjnë këtë sepse llogarisin të përfundojnë punën brenda një ose dy ditësh, dhe pastaj të rikuperohen të hënën. Sigurisht, si gjithmonë, askush nuk dëgjoi, të gjithë e dinë më mirë se unë dhe tani kemi një problem me gjithçka që po ndodh. Emiratet u sulmuan brutalisht, as fajtorë dhe as përgjegjës, sepse justifikimi se një nga bazat amerikane ndodhet në atë territor nuk do të thotë asgjë të veçantë në aspektin e një sulmi ndaj një strukture civile në Dubai”, tha Vuçiç.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme