Dëmtohet dera e KZAZ në Kavajë, policia nis hetimet: Nuk është konstatuar mungesë dokumentacioni

Dëmtimi i derës hyrëse në KZAZ Nr. 42, në Kavajë, ka bërë që të nisin menjëherë hetimet për të zbuluar autorin ose autorët e kësaj ngjarje. Sipas informacionit të policisë, kjo KZAZ është vendosur në shkollën “26 Marsi”, e cila është aktualisht jashtë funksionit.
“Nga hetimet paraprake dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, nuk është konstatuar mungesë apo dëmtim i ndonjë sendi dhe dokumentacioni i KZAZ.”- thuhet në njoftimin e policisë së Kavajës.
Sipas uniformave blu, nga këto hetime është ngritur dyshimi se dera është hapur me forcë nga disa të mitur, që frekuentojnë ambientet e shkollës pasditeve.
“Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorit/ëve”- përfundon njoftimi I policisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



