Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së, vijojnë protestat kundër vendimit të Gjykatës Speciale të Hagës

Kosovë | 1 orë më parë

Qytetarët e Kosovës, por jo vetëm, pritet të mblidhen për të pestën natë radhazi në sheshin “Skënderbeu” të Prishtinës për të protestuar kundër dënimit nga Gjykata Speciale e Hagës të ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.

Protesta që nis në orën 21:00 mbahet nën sloganin “Jo në emrin tim”, si kundërpërgjigje ndaj frazës “në emër të popullit të Kosovës”, me të cilën kreu i trupës gjyqësore të Hagës nisi dhënien e verdiktit ndaj katër ish-zyrtarëve të lartë të vendit.

Një tjetër protestë pritet të mbahet kundër vendimit të Hagës po në Prishtinë paraditen e së hënës. Këtë herë do të jenë studentët që në orën 11:30 do të nisen nga Qendra e Studentëve me destinacion sheshin “Skënderbeu”.

“Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ndjen obligim moral dhe përgjegjësi qytetare që të ngrejë zërin sot ndaj vendimit që e konsiderojmë thellësisht të padrejtë ndaj çlirimtarëve tanë. Nuk kemi se si të jemi të qetë derisa ata që na sollën lirinë, falë të cilëve ne sot studiojmë dhe arsimohemi të lirë, gjenden në Hagë,” tha Humolli.

Pritet që në protestën e tyre, studentët të kërkojnë mbështetje financiare të pakushtëzuar si dhe mbështetje të plotë politike e morale për të akuzuarit deri në përfundimin e procesit dhe derisa ata të mund të kthehen pranë familjeve të tyre.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme