Derbi i Mançesterit ngjyroset i kaltër

Angli | 3 vite më parë

Një tjetër derbi, një tjetër fitore dhe dy gola të tjerë nga Erling Haaland. Ky është refreni që po shndërrohet në lajtmotivin që po mbizotëron në qytetin e Mançesterit sa i përket rivalitetit historik të dy skuadrave vendase. Kjo sepse Mançester Siti e ka fituar bindshëm derbin e Mançesterit, teksa skuadra e drejtuar nga trajneri Pep Guardiola fitoi të dielën në “Olld Traford” me rezultatin 3-0 ndaj Mançester Junajtid.

Ndeshja ishte e vlefshme për javën e 10-të të Premier Ligës Angleze dhe Erling Ha’aland ishte njeriu i ndeshjes, teksa shënoi dy golat e parë dhe dha pasimin e fundit për të 3-tin.

Sulmuesi shtatlartë shënoi të parin në minutën e 26-të, duke u treguar i saktë nga pika e bardhë e 11-metërshit, të akorduar pas konsultimit të kryesorit me Sistemin e Ndidhmësgjyqtarit të Videos (VAR). Më pas, ai realizoi me një goditje me kokë në minutën e 49-të, pas pasimit të Bernardo Silvës.

Dhjetë minuta para se të mbyllej ndeshja, ai pasoi për Fil Fodenin, i cili realizoi, duke fiksuar fitoren e Mançester Sitit me shifrat 3-0. Me këtë fitore, Skuadra e Guardiolës tani mban vendin e 3-të, me 24 pikë, po aq sa ka edhe Arsenali i vendit të dytë, ndërsa kryeson Totenhemi me 26 pikë. Mançester Junajtid pësoi humbjen e pestë të edicionit aktual, duke mbetur në vendin e 8-të me 15 pikë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme