Deri në 100 mijë të rinj europianë në vit drejt Britanisë së Madhe, pritet marrëveshja e re me BE-në

Deri në 100 mijë të rinj nga Bashkimi Europian do të mund të udhëtojnë, punojnë dhe studiojnë në Mbretërinë e Bashkuar çdo vit, sipas një skeme të re të lëvizshmërisë së të rinjve, që pritet të miratohet në samitin Britani e Madhe-BE në Bruksel. Sipas BBC-së, marrëveshja parashikon që edhe 100 mijë të rinj britanikë të kenë të njëjtat mundësi për të jetuar përvoja studimi dhe punësimi në vendet e Bashkimit Europian. Bisedimet mes palëve janë në fazën përfundimtare, ndërsa marrëveshja pritet të finalizohet të premten. Skema synon të lehtësojë shkëmbimet mes të rinjve, pa rikthyer lirinë e plotë të lëvizjes që ekzistonte përpara Brexit-it.
Propozimi fillestar i BE-së, i paraqitur në vitin 2024, parashikonte mundësinë që personat nga mosha 18 deri në 30 vjeç të punonin ose studionin në të dyja anët e Kanalit deri në katër vjet. Megjithatë, qeveria laburiste kërkoi një marrëveshje më të kufizuar, me kuota për pjesëmarrësit, afate kohore dhe kufizime për përfitimin e ndihmave sociale. Një nga çështjet më të debatueshme në negociata mbetet numri i studentëve që do të lejohen të hyjnë në Britani, si dhe kërkesa e BE-së që studentët europianë të paguajnë të njëjtat tarifa universitare si studentët britanikë.
Përveç skemës së të rinjve, samiti pritet të trajtojë edhe bashkëpunimin në tregtinë e produkteve ushqimore, çmimet e emetimeve të karbonit dhe luftën kundër emigracionit të paligjshëm. Kryeministri britanik ka deklaruar se synohet edhe një marrëveshje për një plan të përbashkët veprimi në Kanalin Anglez, që do të përfshinte bashkëpunim më të madh mes autoriteteve dhe shkëmbim të të dhënave për zbatimin e ligjit.
Ndërkohë, çështja e afrimit me Bashkimin Europian ka rikthyer debatet politike në Britani. Udhëheqësja konservatore Kemi Badenoch ka kritikuar drejtimin e negociatave, ndërsa lideri i Liberal Demokratëve, Ed Davey, ka kërkuar një marrëdhënie edhe më të ngushtë me BE-në, përfshirë rikthimin e lirisë së lëvizjes. Qeveria britanike ka bërë të ditur se, nëse arrihet marrëveshja, javën e ardhshme do të paraqesë në Parlament legjislacionin e nevojshëm për zbatimin e ndryshimeve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



