Dinamo e Skënderbeu, barazim paqësor

Dinamo e Skënderbeu kanë ndarë nga një pikë mes tyre, teksa bëhet fjalë për ndeshjen e javës së 15-të, që është luajtur në “Selman Stërmasi”. Dinamo në fakt është e para që ngacmon me Allmuçën, i cili në një goditje dënimi ka shënjestrën e gabuar. Blutë befasohen, ndërsa Skënderbeu shfrytëzon një vendosje të gabuar të mbrojtjes vendëse dhe me Temitope kalon në avantazh. Ruci i thotë “jo” përpjekjes së Denison për të barazuar rezultatin në të 19’. Rasti më i mirë për blutë për të fiksuar rezultatin 1-1 është në të 38’, por Denison ndalet nga trau. Dhe pjesa e parë është mbyllur me një mundësi ideale të korçarëve, që në fakt ka lënë shumë për të dëshiruar në finalizim. Autori i golit për Skënderbeun është shumë pranë dyfishimit, por për fatin e tij të keq gjithçka përfundon jashtë. Dinamo gradualisht gjen barazimin që mban firmën e Babakar në të 81’. Përpiqet edhe një herë Temitope, por në përfundim 1-1 me Dinamon që mbetet në krye me 31 pikë dhe Skënderbeu që ndjek në kuotën e 27 pikëve.
Ndërkohë në ndeshjet e tjera vlen të përmendet edhe fitorja e Besës me Besëlidhjen 2-0 në Berat, atje ku Artan Bano dhe Gugash Magani kanë bërë dhe komentet e tyre pas ndeshjes.
“Njëmbëdhjetëmetërshi ndryshonte rrjedhën e lojës. Minutat e fundit ne u munduam të luanim gjithçka për gjithçka. Patjetër që duke disekuilibruar ekipin do të pësosh dhe golin tjetër. Nuk na bën përshtypje goli i dytë se në minutën e 90-të u pësua, por më tepër të bën përshtypje kartonat për kundërshtarin dhe më tepër mënyra se si gjykohet një ndeshje”, tha trajneri i Besëlidhjes, Artan Bano.
“Ishte një fitore e merituar përballë një skuadre që lufton në zonën e Play-out. Mendoj që ishte një ndeshje e barabartë. Kundërshtari ishte shumë i mobilizuar për të marrë një rezultat pozitiv sot. Në të njëjtën kohë edhe ne, meqë kishim dhe presionin e rezultatit, sepse kundërshtari luante për dy rezultate, kurse ne na duhej fitorja, atëherë presioni ishte mbi ne. Megjithatë skuadra u përgjigj”, theksoi Gugash Magani i Besës.
Më poshtë janë dhe të gjitha rezultatet e javës së pesëmbëdhjetë të Kategorisë së Parë, e cila ka qenë e shtrirë në tre ditë, nga e shtuna në të diel, e cila sërisht mbetet nën kryesimin e bluve të Nevil Dedes.
JAVA 15-të
Korabi – Flamurtari 1-1
Tërbuni – Burreli 1-2
Lushnja – Tomori 2-1
Oriku – Luzi 2008 3-2
Besa – Besëlidhja 2-0
Turbina – Apolonia 1-0
Dinamo – Skënderbeu 1-1
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




