Dita botërore e Ozonit, apel global për të reduktuar ndryshimet klimatike

Të gjitha vendet e botës gjejnë mënyrën e tyre për të festuar në Shtator Ditën Ndërkombëtare të Ozonit si një apel global për mbrojtjen e shtresës së ozonit dhe reduktimin e ndryshimeve klimatike. Në Shtator 1987, u firmos Protokolli i Montrealit, ku vendet u angazhuan në gjetjen e makanizmave për mbrojtjen e shtresës së ozonit përmes eliminimit gradual të konsumit dhe prodhimit të substancave që dëmtojnë të vetmen shtresë mbrojtëse ndaj radioaktivitetit.
Tema e Ditës Botërore të Ozonit për vitin 2023 është “Protokolli i Montrealit: rregullimi i shtresës së ozonit dhe reduktimi i ndryshimeve klimatike”.
Gjatë dekadave të fundit, marrëveshja është pasuar nga rezultate shumë të mira dhe sipas përditësimit të fundit shkencor shtresa e ozonit është në rrugën e rimëkëmbjes. Nivelet e ozonit pritet të kthehen në nivelet e para vitit 1980 rreth vitit 2066 mbi Antarktidë.
Megjithatë shqetësimet për planetin janë në rritje. Në një kohë kur shtresa e ozonit po rimëkëmbet, planeti po nxehet me një shpejtësi alarmante.
Prandaj, Protokolli i Montrealit u përditësua me detyrimin për të reduktuar prodhimin e gazeve me potencial të lartë për ngrohjen globale.
Shkencëtarët vlerësojnë si arritje për njerëzimin që deri në fund të shekullit, reduktimi gradual i këtyre gazeve, do të parandalojë ngrohjen glibale me 0.5 ° Celsius. Zbatimi i masave për efiçencën e energjisë mund të dyfishojë këtë shifër.
Shqipëria është vendi i parë në rajon, që ka ratifikuar në 2018-ën, Amendamentin Kundër Ngrohjes Globale të Protokollit të Montrealit, duke u bërë bërë pjesë e kalendarëve për eliminimin gradual të këtyre gazeve të dëmshëm
Celebrimi i Ditës Botërore të Ozonit dhe sukseseve të Protokollit të Montrealit thekson edhe një herë rëndësinë e Protokollit duke siguruar që ai të mbetet një instrument jetik për mbrojtjen e shëndetit të njeriut, natyrës dhe klimës për brezat e ardhshëm.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




