Dita e Europës/ Scholz: BE të mbajë premtimet për integrimin e Ballkanit Perëndimor

Botë | 3 vite më parë

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i mbajë premtimet ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrimin e tyre në BE.

“Evropa duhet të hapet edhe ndaj të tjerëve. Vendime kyçe për Evropën ishin ato të vitit të kaluar, kur vendosëm të punojmë për një Evropë të zgjeruar. U kemi thënë vendeve të Ballkanit Perëndimor, po ashtu edhe Ukrainës, Moldavisë e ndoshta edhe Gjeorgjisë, se e kanë vendin në Evropë. Evropa gjeopolitike duhet t’i mbajë premtimet e veta. Premtimet duhet të mbahen ndaj vendeve të Ballkanit, të cilave po u premtojmë anëtarësim tash e 20 vjet”, bëri thirrje kancelari gjerman.  

Këto deklarata Kancelari gjerman i bëri duke folur në Ditën e Evropës, ndërsa shtoi “sa më e bashkuar që është Evropa, aq më lehtë do të përballet me sfida”.

“Ne duhet të jemi edhe më të hapur ndaj tjerëve. Na duhet një BE e zgjeruar dhe e reformuar, një BE gjeostrategjike. Rrallëherë kemi qenë më të bashkuar sesa tash në përballje me agresionin e Rusisë në Ukrainë”, tha Scholz, citon REL.

Scholz bëri të ditur se Bashkimi Evropian po punon për të përmirësuar regjimin e sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës. Duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse ai është në favor të zgjerimit të propozuar të sanksioneve me përfshirjen edhe të kompanive kineze, Scholz tha se “qëllimi është përmirësimi i sanksioneve ekzistuese dhe se paketa e ardhshme e sanksioneve nuk do të jetë e fundit”.

Gjatë fjalës, mbajtur para Parlamentit Evropian për të ardhmen e Evropës, Scholz bëri thirrje edhe për vazhdimin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë. Duhet të vazhdojnë reformat për integrim. Duhet të avancohet edhe procesi i negociatave me Maqedoninë e Veriut. Zgjerimi nuk duhet të jetë i vetmi motiv për reforma, por duhet të kihet parasysh”, tha kancelari gjerman.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi dhe Serbia kanë bërë më së shumti përparim në negociatat e anëtarësimit në BE, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë hapur vitin e kaluar këto negociata. Bosnje e Hercegovina ka marrë statusin e vendit kandidat, ndërsa Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, dhjetorin e kaluar.

Dita e Evropës është data kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si BE ose Bashkimi Evropian.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme