Dita e zgjedhjeve në syrin e mediave të huaja, gazetari austriak komenton për RTSH
Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë kanë tërhequr vëmendjen e mediave të huaja, të cilat votimet i cilësojnë si një test kyç për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.
“Një proces i qetë zgjedhor është veçanërisht i rëndësishëm për Shqipërinë, vendin më pro-europian në rajon, i cili ka pritur 13 vite para se në korrik të vitit 2022 të niste zyrtarisht bisedimet e anëtarësimit me BE-në”, shkruan agjencia franceze e lajmeve AFP.
Zgjedhjet në Shqipëri, me rivalë të vjetër, parti të reja dhe një premtim ambicioz për anëtarësim në Bashkimin Europian, është ndërkohë titulli i artikullit të agjencisë Associated Press, ku ndër të tjera shkruhet se “kryeministri në detyrë dhe kryesocialisti Edi Rama siguroi nisjen e bisedimeve të anëtarësimit dhe po mbështetet fuqishëm në këtë fakt për të marrë një mandat të katërt. Slogani i partisë së Ramës është: “Shqipëria 2030 në BE, vetëm me Edin dhe PS”, dhe Rama këmbëngul se anëtarësimi i plotë i vendit në bllokun europian është i mundur deri në vitin 2030. Por rivali i tij kryesor, Sali Berisha, argumenton se Shqipëria ende nuk është gati për një anëtarësim të tillë”, vijon artikullin e saj agjencia Associated Press.
“Zgjedhjet në Shqipëri, një test me letër lakmusi për anëtarësimin europian mes ndasive të thella”, është titulli i artikullit të Radio France Internationale, e cila, pasi analizon situatën politike në vend në këto zgjedhje, vë në dukje faktin se “votimet janë thelbësore për zhvillimin ekonomik të vendit si dhe përparimin e tij drejt qëllimit për një të ardhme europiane”.
Ndërkaq, televizione të ndryshme europiane kanë dërguar gazetarët e tyre për të ndjekur votimet në Shqipëri. Mes tyre edhe korrespondenti i Radiotelevizionit Shtetëror Austriak ORF për Ballkanin, Christian Ferdinand, i cili, duke folur për të dërguarën e TVSH-së në Vlorë, Denada Shkodrani, procesin zgjedhor e cilësoi normal dhe pa probleme.
“Unë jam gazetar dhe deri tani e shoh procesin pa probleme”, tha ai.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





