Dokumenti/ Partia e Lirisë mbështet kërkesën e studentëve të Mjekësisë për të çuar në Kushtetuese ligjin që u bllokon diplomat për 5 vite

Politikë | 3 vite më parë

Partia e Lirisë (PL) mbështet kërkesën e studentëve të Universitetit të Mjekësisë për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese ligjin që i detyron ata të punojnë në Shqipëri pesë vite pas mbarimit të universitetit.

Deputetja Erisa Xhixho, ka publikuar në rrjetet sociale një dokument, ku bashkë me dy deputetët e tjerë, Monika Kryemadhin dhe Petrit Vasilin, kanë shprehur mbështetjen e tyre pranë Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e nenit përkatës të ligjit.

“Deputetët e Partisë së Lirisë mbështesin kërkesën e studentëve të mjekësisë për shqyrtimin e ligjit nga Gjykata Kushtetuese.

Mbështetje të plotë për studentët e mjekësisë, të cilëve në mënyrë antikushtetuese, të padrejtë dhe pa u dhënë mundësinë të dëgjohen, qeveria vendosi t’u marrë peng diplomën për pesë vjet pas përfundimit të studimeve”, shkruan Xhixho.

Sipas saj, “PL ka qenë në krah të kërkesave të tyre të drejta që në krye të herës dhe kemi këmbëngulur që zëri i tyre të dëgjohet, ndaj sot firmosëm kërkesën për ta çuar ligjin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Një qeveri që injoron dramën e emigracionit të trurit, nuk mund ta zgjidhë atë me ligje që shkelin të drejtat e mjekëve të ardhshëm”, shkruan ndër të tjera Xhixho.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme