Dy vjet pa Kosta Grillon

Një zë atipik, ritmik dhe i dashur në timbër, sa për ta bërë të dallueshëm edhe pa e parë në ekran. E po ti shtoje një puro, bashkë me gazetën e sportit ndër duar, imazhi ishte ai i Kosta Grillos, komentatorit të një jete të ndeshjeve të futbollit, që aq shumë i mungon ekranit e tifozëve, edhe pse shpesh kontrovers në deklaratat e tij. Sot u bënë dy vjet pa Kostën, që nuk arriti të komentonte dot deri në fund, ndeshjen e tij me COVID-19, të vetmen që humbi….
E për ta kujtuar, një si Kosta që pozitivitetin e kishte vyrtyt, mjafton të thuash atë që ai ishte, njeriun që pasionin e ktheu në profesionin, e treguar kjo me kohëzgjatjen prej 28 vjetësh në mikrofon. E kishte imagjinuar gjithnjë jetën e tij të tillë, pavarësisht zgjedhjes për të studiuar për gjuhë-letërsi. Nën kujdesin e Vladimir Grillos, djalit te xhaxhait dhe nje ikone te asaj kohe te sportit ne vend, Kosta u njoh me stadiumet dhe komentin që në moshën 10 vjeçare. Nga atëherë gjithcka e solli rreth topit – shkollën në Athinë për gazetari dhe marrëdhënie me publikun, si hap drejt një jete profesionale, të cilën e nisi në gazetë, e nga 91’ në RTSH-në, që Kosta e quante shtëpi. I ndarë mes dy shtetesh, Shqipërisë dhe Qipros, në të gjithë zhanret e sportit ku manovroi suksesshëm, ai dha diçka nga vetja, e kjo e bënte të preferuarin e publikut, të pakalueshëm nga askush. Kosta iku shumë shpejt, vetëm 59 vjeç, por ishte koha e mjaftueshme për të qendruar përgjithnjë në memorjen e njerëzve që e njohën e të gjithë atyre që e dëgjuan…
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




