Ekonomistja Klaudia Goldin merr Çmimin Nobel për Ekonominë

Klaudia Goldin (o. Claudia) është kurorëzuar si nobelistja e vitit 2023 për Ekonominë për studimin e rolit të grave në tregun e punës.
Akademia Suedeze e Shkencave tha të hënën se ekonomistja amerikane “ka paraqitur qartë sa kanë qenë fitimet e grave dhe pjesëmarrja e tyre në tregun e punës përgjatë shekujve. Studimet e Goldinit zbulojnë modele të reja, identifikojnë shkaqet e ndryshimit, por po ashtu tregojnë burimin kryesor të hendekut gjinor në këtë drejtim.”
Profesorja e Universitetit të Harvardit pritet të shpërblehet me 10 milionë krona suedeze (907 mijë dollarë).
Çmimi i vitit të kaluar shkoi po në SHBA për ekonomistët Ben Bernanke, gjithashtu ish-guvernator i Bankës Qendrore Amerikane, Dagllas Dajmond (o. Douglas Diamond) dhe Filip Dibvig (o. Philip Dybvig) për punën e tyre mbi bankat dhe krizat financiare.
Komiteti Nobel tha se kërkimet e tyre në fillim të viteve 1980 “përmirësuan në mënyrë të konsiderueshme të kuptuarit tonë për rolin e bankave në ekonomi, veçanërisht gjatë krizave financiare” dhe rëndësia e tyre u pa te shmangia e kolapsit të bankave gjatë krizës financiare 2008–09 dhe pandemisë Covid-19.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




