“Emigrantët”, grupi parlamentar i PD kërkesë Kushtetueses: Të merret një opinion këshillimor nga GJEDNJ

Grupi Parlamentar i PD-së i është drejtuar sot (14 janar) Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për marrjen e një opinioni nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në lidhje me marrëveshjen e nënshkruar mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët.
“Shqipëria, si shtet anëtar i Këshillit të Europës dhe ratifikues i Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ka detyrimin të sigurojë çdokujt brenda territorit të saj të drejtat dhe liritë e përcaktuara nga Konventa. Në këtë kuptim, është shumë e rëndësishme që gjatë shqyrtimit të kushtetutshmërisë së Protokollit, Gjykata të analizojë dhe konkludojë mbi shkeljet e pretenduara të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat njëkohësisht përbëjnë edhe shkelje të Kushtetutës”, thuhet në shkresën e firmosur nga kryetari i grupit, Gazment Bardhi.
Grupi parlamentar i PD-së argumenton në kërkesë se duke patur parasyshë ndikimin e gjerë të kësaj marrëveshje, kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe mungesën e precedentëve të mëparshëm, kërkohet marrja e një opinion këshillimor nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut për zbatimin e të drejtave dhe lirive të parashikuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Në argumentimin e kërkesës Grupi Parlamentar i PD evidenton se duke pasur parasysh pretendimet e kërkuesve lidhur me shkeljen e lirive dhe të drejtave të garantuara nga Konventa, reagimet e organizatave vendase dhe ndërkombëtare, veçanërisht qëndrimin e Komisioneres së Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, natyrën shumë specifike të kësaj marrëveshjeje, impaktin e saj të gjerë kombëtar dhe ndërkombëtar, mungesën e precedentëve të mëparshëm nga Gjykata Kushtetuese, jurisprudencën e kufizuar të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në këtë drejtim, si dhe juridiksionin ekskluziv të kësaj të fundit për të bërë interpretimin e Konventës dhe Protokolleve të saj, si dhe interesin e shtetit shqiptar, i cili, në eventualitetin e ratifikimit, mund të përballet me ankime në GJEDNJ për shkelje të Konventës, në mbështetje të nenit 1, të Protokollit nr. 16, të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, nenit 44/b, të Ligjit nr. 8577/2000 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, dhe nenit 35, të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, kërkojmë marrjen e një opinion këshillimor nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut për zbatimin e të drejtave dhe lirive të parashikuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Protokollin ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit’”, përfundon kërkesa.
Ditën e djeshme, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, që të zhvillohet një seancë e hapur për median dhe publikun kur të diskutohet marrëveshja për emigrantët me Italinë.
Kujtojmë se në 13 dhjetor, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim kërkesën e bërë nga 30 deputetë të grupit Berisha-Bardhi lidhur me marrëveshjen Itali-Shqipëri, e cila konsiderohet nga ata anti-kushtetuese. Seanca për shqyrtimin e padisë, do të mbahet në 18 janar, në orën 10:00.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




