Emiri i Katarit pas PSG-së do dhe United

Angli | 4 vite më parë

Ajo që po ndodh me City-n nuk është agjë. Europa duhet të bëhet gati për një betejë të fortë ligjore pasi grupi (Qatar Sports Investment) nëpërmjet të cilit Emiri i Katarit “sundon” PSG-në tani po përgatit një ofertë edhe për Manchester United. Nëse një marrëvedhje e tillë do të finalizohej atëherë UEFA do të ketë detyrën e vështirë që të bëjë hapa konkret në aspektin ligjor pasi në rregulloren e saj thuhet qartë se dy klube nuk mund të marrin pjesë në Ligën e Kampioneve në rast se janë në pronësi të të njëjtit pronar. Nga ajo që është kuptuar deri më tani Sheiku Tamim bin Hamad al-Thani nuk heq dorë nga PSG-ja, por njëkohësisht po përgatit ofertën edhe për United.

Siç dihet United është në shitje nga familja Glazer prej nëtorit të kaluar. Amerikanët kanë vendosur një vijë të kuqe, përtej së cilës nuk presin më oferta. Mësohet se data nuk është precize por afati i përket mesit të muajit shkurt. Deri më tani thuhet se familja Glazer nuk heq dorë nga United për më pak se 6 bilionë stërlina. Interes për shumicën e aksioneve të klubit nuk ka treguar vetëm Sheiku Tamim bin Hamad al-Thani, por edhe njeriu më i pasur i Britanisë, Jim Ratcliffe.

Sipas “The Guardian”, emiri i Katarit nuk është i interesuar për pak aksione të United, ai i do të gjitha. Për të evituar rregullin e UEFA-s, emiri ka menduar që të ndërtojë një grup të ri nëpërmjet të cilit të kontrollojë edhe United duke “gënjyer” rregullat e UEFA-s.

Aktualisht struktura e PSG-së, me “QSI” në krye, shikon si president Nasser Al-Khelaifi. 49-vjeçari rregullisht flet dhe kryen funksione si pronar i klubit edhe pse të gjithë e dinë se nuk është ai që financon klubin.

Në mënyrë që të ketë dy skuadra në të njëjtin kompeticion Europian, Emiri nga Katari ka menduar që të ndërtojë një tjetër grup me një tjetër president dhe nëpërmjet të cilit të kontrollojë aksionet e United dhe të “evitojë” Sanksionet nga UEFA.

Precedenti gjendet pak vite më parë pasi UEFA lejoi që RB Leipzig dhe Red Bull Salzburg, edhe pse ishin në pronësi të “Red Bull GmbH”, të rregjistroheshin në Ligën e Europës ku madje në sezonin 2018-19 u ndeshën me njëra-tjetrën në fazën në grupe.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme