Emisioni ‘3D’ në RTSH, Klosi: Ky është një problem juridik jo politik, Rama ka fituar disa zgjedhje, s’ka interes për lojëra të tilla

Politikë | 3 vite më parë

Ish-shefi i shërbimit inteligjent shqiptar, Fatos Klosi, në emisionin ‘3D’ të Alban Dudushit në RTSH, u shpreh se të prekësh Sali Berishën në rrugë ligjore, “ka qenë një ëndërr”. Sipas tij,  problemi nuk është politik, por juridik, pasi Rama nuk është i interesuar sepse i ka fituar të gjitha ballafaqimet elektorale.

“Unë personalisht jam i kënaqur që gjyqësori shqiptar ka arritur të thërrasë Berishën. Ky është hapi më i madh. Ky ka qenë një nga problemet më të mëdha që ka pasur gjykata dhe prokuroria shqiptare.

Të arrish të prekësh Sali Berishën ka qenë një ëndërr për shumë njerëz, por ata njerëz janë duke shpresuar tashmë. Jam dakord që kjo është një çështje shumë e vogël, krahasuar me gjithë ato që Sali Berisha ka krijuar në politikën shqiptare pas 90. Krijoi një frymë të rëndë hakmarrje kundër njerëzve që kishin goxha merita”, tha Klosi.  

Sipas tij, problemi nuk është politik dhe se Rama nuk është prononcuar fare, sepse i duhet lënë gjyqësorit.

“Ky është problem juridik. Nuk besoj se ata nuk e kanë menduar dy herë se çfarë do të bëjnë. Rama po fiton pa e diskutuar fare dhe nuk ka asnjë interes të bëjë lodra të tilla. Kjo pritej prej kohësh të njerëzit. Sot u tregua më i zgjuar sepse kishte çuar dy avokatë. Unë kam probleme personale me atë  dhe po e them hapur, ku në një hetim parlamentar që u bë për mua, nuk isha i pranishëm. Berisha nuk ka qenë i qëndrueshëm. Kur i duhet vetë i kërkon të gjitha të drejtat, kur bëhej fjalë për të tjerët, ai i shkelte procedurat’, tha Klosi.

Sipas tij, Berisha nuk e priste të vinte puna deri këtu dhe se ky është hapi më i madh i bërë deri tani që po merret  si i pandehur.

“Nëse del i pafajshëm, lë të dal”, tha Klosi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme